Canberra, 17 nëntor 2011, NOA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë zhvillimin dhe prosperitetin e Kinës, andaj garantojnë se do të vijojnë të bashkëpunojnë me të për të forcuar lidhjet me Pekinin, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kështu u shpreh gjatë fjalës së tij në parlamentin australian Presidenti amerikan Barack Obama, i cili nga dje ndodhet për një vizitë zyrtare në Australi.
Obama nënvizoi se është e rëndësishme, që Kina të respektojë të Drejtat e Njeriut të qytetarëve të saj.
Qëllimi kryesor i vizitës së shefit të “Shtëpisë së Bardhë” në Canberra të Australisë, është forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes vendeve aleate, edhe në Paqësor.
Për këtë, Presidenti amerikan deklaroi se “Shtetet e Bashkuara do të marrin një rol të zgjeruar në forcimin e paqes në rajonin aziatik në Paqësor, duke rritur praninë ushtarake”.
“Interesat tona të qëndrueshme në rajon kërkojnë praninë tonë të qëndrueshme në këtë rajon”, tha Obama në fjalimin e tij, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi paqësore, andaj “ne jemi këtu për të qëndruar”, premtoi ai.
mit/NOA