English

Rama homazhe për çlirimin e Tiranës

Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA - 67 vjetori i çlirimit të kryeqytetit, Tiranës, është përkujtuar sot me homazhe të zhvilluara te monumenti i “Partizani i Panjohur”. Kreu i opozitës, Edi Rama i shoqëruar nga deputetë të Tiranës dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste ka vendosur kurorë me lule në këtë memorial në qendër të kryeqytetit.

Kryetari i këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi duke folur në këtë ceremoni risolli në vëmendje simbolin e kësaj dite.

“Sot është një ditë e rëndësishme për kryeqytetin shqiptar. Një ditë e rëndësishme sepse na kujton simbolin e fitores mbi të keqen, simbolin e fitores mbi një nga diktaturat më të egra në Europë. Simbolin e fitores mbi të gjithë ata që dje, sot dhe nesër duhet të kenë të qartë që idealizmi, kurajoja, sakrifica për lirinë dhe për demokracinë, fitohen me të drejtën, fitohen duke respektuar normat e rëndësishme të barazisë dhe të demokracisë. Kjo ditë e sotme na kujton të gjithë ata të rënë, të gjithë ata të rinj të cilët besuan tek një ditë më e mirë, të cilët besuan tek liria, të cilët besuan tek vlerat më të mira të demokracisë”, tha Dalipi.

a.q/NOA

KOMENTE