Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA – Pak minuta pas votimit në Kuvend me konsensus të disa ligjeve, kryetari i PS-së, Edi Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha, por edhe kreut të LSI-së, Ilir Meta të ndalin dhunën në Fier e Gjirokastër,ku prej kohësh po zvarritet, sipas tij, procesi për Këshillin e ri të Qarkut. Madje Rama, ka paralajmëruar se nuk do tw ketw mw vota si e sotmja, nwse tw djathtwr nuk tërhiqen.
Agjencia NOA.al po boton të plotë deklaratën e Ramës, që zyra e shtypit të PS-së, u ka shpërndarë mediave.
Deklaratë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama
“Në solidaritet të plotë me zgjedhësit tanë në Fier e në Gjirokastër dhe plotësisht i vetëdijshëm për peshën e veçantë morale e politike të deputetëve opozitarë të këtyre dy qarqeve, po edhe për kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër, përsëris apelin tim për Saliun e për Ilir Metën: Tërhiquni nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe.
Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe s’mund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për t’u tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonat bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton. Integrimi europian s’është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s’mund të gënjejë as popullin as vetveten për t’u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj.
Duke mos i hequr asnjë presje deklaratës së sotme në Kuvend të kryetarit të grupit parlamentar socialist, rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo gërmë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap s’do mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër.”
a.q/NOA