English

Trashëgimtari i Fronit Mbretëror Leka I ende në gjendje kritike

Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA Update – Trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar, Leka Zog I, i biri i mbretit Zog dhe mbretëreshës Geraldinë ndodhet ende i shtruar në gjendje kritike, në Reanimacionin e spitalit të Neurokirurgjisë, pranë QSUT-së, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Princi trashëgimtar Leka I u shtrua pasditen e të mërkurës me urgjencë në spital, pas disa komplikacioneve në mushkëri dhe insufiçencë kardiake.

Vuajtjet në zemër dhe mushkëri e shoqërojnë prej disa kohësh jetën e trashëgimtarit të fronit shqiptar, i cili tashmë është në moshën 72-vjeçare.

N.M.T. Leka Zog I është duke u kuruar nën kujdesin e neurokirurgut të njohur Prof. Dr. Mentor Petrela, i cili është shefi i stafit të Neurokirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Neurokirurgu Petrela bëri me dije në orët e vona të mbrëmjes së gjendja e Princit Trashëgimtar është në gjendje të rëndë, për shkak të vuajtjeve në zemër dhe mushkëri, por nënvizoi, se është nën kontrollin e plotë të mjekëve.

Për shëndetin dhe mbarëvajtjen e mjekimit në spital të trashëgimtarit Leka I janë kujdesur edhe autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë orëve të mbrëmjes edhe Oborri Mbretëror doli me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se “N.M.T. Mbreti Leka I po mjekohet për vuajtje multisistemike ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive dhe gjendja e Mbretit është relativisht e rëndë, por nën kontroll dhe po merr terapinë e nevojshme”.

Familja Mbretërore falenderoi gjithashtu ekipin mjekësor të drejtuar nga Prof. Mentor Petrela për kujdesin që po tregojnë ndaj përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Mbretit Leka I.

mit/NOA

Në foto: N.MT. Leka Zog I, gjatë një prononcimi për mediat.

KOMENTE