English

Urgjencë e re në QSUT, Berisha: Do modernizoj spitalet

Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA – “Ju i meritoni të sëmurët, dhe unë do të bëj të pamundurën të modernizoj çdo spital të Tiranës dhe zonave të tjera të vendit duke konsoliduar një sistem shëndetësor, që t’u sigurojë të sëmurëve kurim të standardeve më të mira”, premtoi kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të spitalit të ri të Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, informon agjencia e lajmeve NOA.al.

Shefi i qeverisë, që edhe vetë vjen nga radhët e bluzave të bardha, bëri me dije se për këtë vepër u dhanë mbi 2 miliardë lekë nga fondi i shtetit.

Spitali i ri i Urgjencës, ku u jepet ndihma e parë të sëmurëve kritikë për jetën është i pajisur me teknologjitë më të mira, rezonancën magnetike, eko-abdominale, që sipas kryeministrit, janë të tilla sa ç’kishte e tërë Shqipëria në 14 vitet e shkuar.

“Reformat në shëndetësi mbeten qëllimi më madhor ndër reformat e tjera dhe ne po shkojmë drejt instalimit të sistemit të ri të financimit. Së shpejti do të nisë edhe vendosja e sistemit tonë në baza dixhitale, si një premis i rëndësishëm për menaxhimin e të gjitha burimeve. Duhet të vendosim standardet më të mira të diagnozës, kurimit, e kërkimit shkencor”, theksoi kryeministri, duke inkurajuar kërkimin shkencor në çdo pavion, si një akt jetik për t’i mbajtur doktorët sa më afër kërkimeve të kufijve të rinj në mjekësi.

Kreu i qeverisë theksoi se në epiqendër të përpjekjes së ekzekutivit do të mbetet kualifikimi i vazhdueshëm i ekipeve të mjekëve dhe modernizimi i sistemit tonë shëndetësor.

Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi shumë lart lidhjet e mjekëve shqiptarë me klinikat më të mira në rajon.

“Qeveria do të përcaktojë fondet dhe mbështetjen për intensifikimin e këtyre lidhjeve, sikundër do të mbështetim kualifikimin tuaj në klinikat më moderne të Evropës dhe botës. Unë kam besim të madh, se shumë prej jush kanë publikim në revistat e njohura e se do të vazhdoni më me agresivitet në kërkimet tuaja dhe t’i bëni gjithnjë e më të njohura”, nënvizoi zoti Berisha.

mit/NOA

Foto arkiv: Kryeministri Sali Berisha dhe Profesor Mentor Petrela gjatë inaugurimit të spitalit të ri të Neurokirurgjisë.

KOMENTE