Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA - Një marrëveshje e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Zvicrës do të mundësojë një projekt të ri për reabilitimin e sistemit të ujërave të bardha e të zeza në qytetin e Lezhës dhe komunën e Shëngjinit.
Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë nga ambasadorja zvicerane Sh.S Yvana Enzler dhe dy ministrat shqiptarë, ai i Financave Ridvan Bode e ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi do t’i hapë rrugën një granti prej 10520000 euro.
“Ne po përparojmë edhe me një hap tjetër drejt sigurimit të qytetarëve shqiptarë me sisteme funksionale të furnizimit me ujë”, u shpreh pas nënshkrimit, ambasadorja Enzler.
Ajo përmendi rastet e Pogradecit dhe të Shkodrës ku kontributi zviceran mundësoi rehabilitimin e sistemeve të ujit dhe të ujërave të zeza.
Falë projektit furnizimi me ujë në Pogradec dhe Shkodër është pa ndërprerje 24 orë në ditë, një standard që nuk është arritur ende nga shumica e qendrave urbane në Shqipëri.
Sipas saj, projekti i ri do të përsërisë historinë e suksesit këtë herë në Lezhë dhe Shëngjin. Ministri i Financave, Ridvan Bode lëvdoi bashkëpunimin me Zvicrën dhe përmendi përparimin e bërë në sektorin e ujit përmes ndërhyrjeve ku KFW, Bashkëpunimi Zviceran, ministritë përkatëse, bashkitë dhe ndërmarrjet e ujit kanë punuar së bashku për të siguruar furnizim të besueshëm me ujë.
Projekti do të zbatohet në bashkëpunim me KFW.
Kontributi zviceran do të mbulojë reabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm, ndërtimin e lidhjeve të reja, zëvendësimin e pusit në Barbullojë, vendosjen e një rezervuari të ri për ujin, si dhe instalimin aparaturave mekanike të rrjetit dhe matësit e rrjedhjes.
Përveç kësaj, fondi zviceran do të përdoret për të rimëkëmbur sistemin e ujrave të zeza, për të përmirësuar menaxhimin dhe administrimin e ndërmarrjeve të ujit, dhe për të dhënë konsulencë për Bashkitë e Lezhës dhe Shëngjinit.
Nga ky projekt, pritet që 45000 banorë në Lezhë dhe Shëngjin do të gëzojnë ujë të rrjedhshëm pa ndërprerje në shtëpitë e tyre dhe gjithashtu do të kenë një sistem më të sigurtë dhe funksional për ujërat e zeza.
Kjo pritet të ketë një efekt në ekonominë vendore dhe në potencialin turistik të Shëngjinit.
Pas Pogradecit dhe Shkodrës ky është projekti i tretë i financuar nga Zvicra, nga i cili përfitojnë 220 000 qytetarë të cilët gëzojnë furnizim të besueshëm me ujë.
mit/NOA