English

Gordon: Politika të përparojë me reformat

Uashington, 17 nëntor 2011, NOA- Në një raport të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i quajtur “Gjendja në Ballkan”, ndihmës sekretari i SHBA për Europën, Filip Gordon ka theksuar se në Shqipëri vijojnë të jenë problem reformat.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në lidhje me ngërçin e stërzgjatur politik në parlament, i cili nuk ka mundur të miratojë ligjet e reformës të përcaktuara nga BE-ja si të detyrueshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Na inkurajon fakti që opozita e ka përfunduar bojkotin e parlamentit pas procesit të zgjatur për vendosjen e rezultatit të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë. E kemi nxitur qeverinë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së për reformë, si edhe të bëjë përpjekje realiste dhe të prekshme për të përfshirë opozitën dhe për të pranuar kompromisin si pjesë e procesit politik. Në të njëjtën kohë, kemi nxitur opozitën të jetë e përgjegjshme dhe e gatshme gjë e cila, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament”, shprehet Gordon.

Më tej ai vijon duke thënë se ka ardhur koha që drejtuesit politikë të kapërcejnë grindjet vetjake dhe të bëjnë përparim konkret me programin e reformës ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin hovin e mëtejshëm, pas dy vitesh ngërç.

Gordon thekson se SHBA është duke vepruar si partnere me Bashkimin Europian, qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për shqyrtimin e 12 reformave me përparësi që nevojiten për pranimin në BE.

Ndër të tjera ndihmës sekretari i SHBA për Europën thekson se Shqipëria miratoi shpejt reformat e nevojshme për të fituar pranimin në NATO në vitin 2009 dhe që atëherë vazhdon të tregojë mbi peshën e saj në Afganistan, duke dhënë kontributin e saj me trupa.

a.y/NOA

KOMENTE