English

Ky nuk është vendi për të rinjtë

Nga Andi Kananaj

Shqipëria nuk është vend për të rinjtë. Sa për ta nisur me këmbën e mbarë këtë shkrim; ata që si unë po plaken me ritmin që nuk paska gjë që e ndaluaka, nuk do të kenë as pension për të pasur shansin të plaken pa ankth. Unë kam ankth. Mendoj se dhe të tjerët duhet të mendohen. Brezi i atyre që në masë të madhe po mbarojnë shkollat si juristë apo ekonomistë do të kuptojnë se realisht nuk ka vende pune për të gjithë. Emocioni i të mbaruarit të shkollës (shpesh të paguar dhe shtrenjtë) do të kthehet një emocion më të fortë dhe shumë shpesh negativ. Ky nuk është vend për të rinjtë. Dhe ata që do të gjejnë një punë, shpesh, do të jenë të paguar keq. Pa sigurime, rrjedhimisht të pasiguruar në kohën kur sigurimi t’u duhet me të vërtetë. Kur të jenë të sëmurë, apo akoma më keq kur koha të ketë kaluar dhe ta shohin veten të moshuar dhe pa gazin e viteve të para. Dhe ata që sot kanë një punë, shohin se ajo punë nuk u siguron mundësinë që të kenë një familje. Kredia që do të marrin për të blerë një shtëpi, në rastin më të mirë do t’i shoqërojë deri në kohën e largët, pafund të largët, atëherë kur nuk do ta kujtojnë më se përse e morën këtë dreq kredie: E në rastin më të keq një bankë me shpejtësinë e zërit të një përmbaruesi privat do t’u konfiskojë çdo gjë, për të cilën po punonin me zell. Një vend ku të fusnin kokën.

Ky nuk është vend për të rinj. Ky është vendi për 100-150 servilë “gjenialë” që shpesh janë ata arsyeja e gjithçkaje të keqe. Ky nuk është vend ku të rinjtë të kenë shansin të konkurrojnë normalisht. Në Shqipëri nuk ka garë.

Në njërën anë vendet në administratë janë të numëruara për militantë dhe organizatorë mitingjesh, në tjetrën, tek sektori qesharak privat të punësuar më së shumti janë kushërinj fodull. Sigurisht që biznesi ka ardhur si pasojë e lidhjeve me politikën dhe vetëm në pak raste do të ketë mundësinë që të eci në rrugën e menduar. Pjesa më e madhe e “pronarëve”, do të konsumojnë deri në zhdukje të pasurisë që i kanë privatizuar për pak gjë.

Ky nuk mund të jetë vend për të rinj, kur politikanët gjenerohen dhe vetëgjenerohen ciklikisht të njëjtët për 20 vjet po kaq të përsëritshëm. Politikanët, në vendin tonë, nuk kanë frikë nga e panjohura e të nesërmes, se janë vetë e ardhmja (ajo e zymta si kanë treguar faktet). Vitet në vazhdim, për fatin e zi tonin, vetëm sa do ta përforcojnë këtë tezë parashikuese. Nuk duhet kalendarë, mjafton televizioni “Abc” për ta kuptuar.

Ky nuk mund të jetë vend për të rinjtë, kur plani i vetëm për të mbijetuar politikani si specie e kamur, është importimi i mbetjeve urbane nga çdo vend që i ka të tepërta. Ky vend nuk ka si të jetë për të rinjtë kur Mafia vendos dhe për sëmundjet e të ardhmes. Nuk mund të jetë vendi për të rinjtë, atje ku turizmi i vetëm të siguron kancermushkëri dhe mëlçi. Mazokistët e gjithë botës mund të bashkohen këtu, për pak kohë cilësore. Pas tyre nuk do të ketë më asgjë.

I kërkohet shpesh dhe patetikisht, atyre që ikën me vrap për të fituar dije në perëndim që të kthehen për atdheun e tyre. Që do të përkthehej: lini punët ku vlerësoheni për profesionalizmin tuaj dhe kthehuni. Gjeni mik që t’ju çojë afër Berishës, Ilir Metës apo Mediut, pastaj lutuni shumë. Dhe kur të bindni që jeni militantë, ata do t’ju pranojnë në punë. Jo se jeni të aftë, por se u aftësuat në humbjen e personalitetin tuaj. Kjo aftësi e re do t’ju bëjë më të durueshme faktin se shefi juaj nuk di të përdori e-mailin. Kjo aftësi e re do të bëjë që koha në mitingje t’ju konsiderohet punë efektive. Kaq lehtë do të jetë, nëse plotëson kushtin e parë dhe të dytë. Përndryshe papunësia do të mundësojë me sukses uljen e autostimës suaj. Do të ktheheni andej nga erdhët, me besimin që kjo ishte hera e fundit që besuat. Një vend i tillë nuk mund të jetë vend për të rinjtë. Një vend të kërkon të sakrifikosh sa për sy e faqe. E vërteta është se vendi nuk të kërkon aspak. Nga larg je më simpatik.

Për fat të keq, nuk është as batutë. Ju të gjithë e dini ku jetoni. Flitet për të rinjtë, dhe për të larë ndërgjegjen i kalohen disa konferenca për shtyp deputetëve si Gerd Bogdani. Po Gerd B., vetëm i ri nuk mund të jetë. Tipa të tillë kanë siluetën e një të 25-vjeçari, po vetëm kaq. Zëri, fjalët, gjithçka thuhet ka kaluar në mendjen e një 70-vjeçari. Telefoni i ka bashkuar për pak sekonda. Pastaj leximi i keq, ka qenë pjesë e argëtimit të dyfishtë të burrit plak që vendosi për gjithçka. Ndoshta edhe që të quhesh Gerd B. Ky nuk është vend për të rinjtë. Kjo nuk do të thotë që është vend për pleqtë. Ndoshta vetëm për një të tillë. Për të tjerët nuk ka ilaçe. Janë në fijen e jetës dhe shtrëngojnë fort atë. Përtej saj nuk ka mjeke, nuk ka vëmendje, ka vetëm diabet dhe dhimbje. Dhimbje dhe për të rinjtë që po lënë pas.

Ky nuk është më vend, ky është si faturë për t’u paguar në emër të një atdheu joreal. Ky nuk është me vend, por një lajmërim i madh për t’u arratisur.

Gazeta "Shekulli"

KOMENTE