English

Parashikimi i motit për 18 nëntor 2011

Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, dita e nesërme do të nisë me kthjellime në të gjithë vendin ku më të theksuara kthjellimet do të jenë në ultësirën perëndimore. Duke ju afruar orëve të mesditës do të ketë kalime vranësirash të lehta në të gjithë vendin.

Edhe gjatë pjesës së dytë të ditës zonat e ulëta dhe ato bregdetare do të mbeten me mot të kthjellët ndërsa sërish në zonat malore verilindore dhe juglindore do të ketë vranësira dhe intervale të shkurtra kthjellimesh. Në këto kushte të qëndrueshme atmosferike do të mbetemi gjatë natës dhe mëngjesin e së shtunës.

Situata termike sërish nuk paraqet ndryshime duke ruajtur pothuajse të njëjtat vlera të temperaturave në mëngjes por mesdita do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave në vend.

Era do të fryjë e lehtë si në tokë dhe në det me shpejtësi 22 km/h dhe drejtim verilindor duke bërë që në Adriatik dhe Jon dallgëzimi të mbetet i ulët.

Europa

Edhe nesër Europa veriore dhe ajo veriperëndimore do të mbeten në praninë e shirave të dendur dhe dëborës së pakët, për shkak të qendrave të presionit të ulët atmosferik vendor mbi këto rajone si edhe bashkimit të dy fronteve të ftohta me shtrirje nga ishujt britanike deri në veri të Finlandës. Në këto kushte të paqëndrueshme atmosferike do të jetë edhe Europa Jugperëndimore ku më problematike situata do të paraqitet në Portugali kryesisht gjatë pjesës së dytë të ditës pasi shirat do të bien në formë rrebeshi. Ndërsa Europa Qendrore, Lindore dhe rajoni i Mesdheut do të mbeten nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme duke bërë që moti i kthjellët të dominojë në këto rajone.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Finlanda rrezikohet për reshje dëbore dhe stuhi ere

- Rusia do të rrezikohet për dëborë dhe temperatura të ulëta

- Portugalia do të rrezikohet për stuhi ere dhe shira të dendur

a.y/NOA

KOMENTE