English

Rusia ‘shtrin këmbët’ në Ballkan: Të ngrejmë Batalionin Sllav!

Moskë, 18 nëntor, NOA – Një ide e re dhe mjaft ekstreme duket se mbërrin nga Rusia në lidhje me Ballkanin, në një kohë kur 22 mijë serbë të Kosovës, i kanë kërkuar ndihmë asaj për atë që e kanë quajtur “frikë dhe mosmbrojtje”.

E hedhur nga ambasadori rus në NATO, Dimitri Rogozhin, ajo sugjeron krijimin e një "Legjioni (Batalioni) të Jashtëm rus", duke pozicionuar kështu një raport krejt të ri në lidhje me marrëdhëniet e Rusisë me vendet e Evropës Lindore. Ky Batalion është menduar të jetë pjesë e ushtrisë ruse, e modeluar sipas legjionit të huaj francez.

E cituar nga mediat ruse dhe bullgare në të njëjtën kohë, kjo ide detajohet me idetë e Rogozhin, sipas të cilit, ai duhet të jetë një "batalion sllav", i përbërë me serbë dhe bullgarë që shërbejnë në të. Diplomati rus, siç citon agjencia bullgare “Novinite”, beson se ushtarët e atij që e ka quajtur "batalioni sllav", duhet të marrin shtetësinë ruse dhe ka pohuar se një ide të tillë tashmë e ka diskutuar edhe me ministrin rus të Mbrojtjes, Anatoli Serdyukov. Për shumë njerëz në Bullgari, siç citojnë mediat bullgare, ky është parë si një provokim që vjen disa ditë pasi 22.000 serbë të Kosovës, kanë aplikuar për shtetësinë ruse me shpresë se Rusia do të jetë në gjendje për t’i mbrojtur interesat e tyre mes shumicës shqiptare të Republikës së Kosovës.

Ambasadori i Rusisë në NATO, Dimitri Rogozhin, është i njohur për idenë e tij mbi përshkrimin e Bullgarisë si "Kali i Trojës i Rusisë në BE" në vitin 2008. Megjithatë, ideja e re e Rogozhinit për një Batalion të jashtëm rus, tashmë është trajtuar me kritika nga mediat ballkanike.

"Të gjithë e dinë se është një ide e bukur, por vetëm në teori. Në të vërtetë, as serbët dhe as bullgarët do të shërbejnë në ushtrinë ruse. Në dritën e afërsisë relative të tyre shpirtërore, serbët dhe bullgarët janë shumë larg nga Rusia. Unë mendoj se kjo ide është praktikisht jorealiste”, ka deklaruar lidhur me një fakt të tillë, Vladislav Shurigin, kryeredaktor i revistës ruse " Ushtarët e Rusisë".

Ndërsa Vladimir Evseev, Drejtor i Qendrës Ruse për studime socio-politike, beson se formimi i njësive ushtarake, bazuar në kombësi, mund të jetë e rrezikshme. Dhe siç pohon e përditshmja Dnevnik, Ministria e Jashtme bullgare ka refuzuar të komentojë mbi idenë e Rogozhin, për krijimin e Batalionit Sllav.

n.e/NOA

KOMENTE