Nga Nexhemedin Spahiu
Në debatin që është ndezur rreth figurës të Rexhep Mitrovicës dhe Xhafer Devës në Kosovë e Shqipëri, argumenti më i shpeshtë që po përdoret është ai se edhe sikur R. Mitrovica e Xh. Deva të kishin qenë patriotë të kulluar dhe gjeni, ata ishin në anën e gjermanëve që ishin humbës të luftës dhe nuk ia vlen të merremi me ta, kurse komunistët e Enver Hoxhës ishin me fituesit, pra me aleatët ruso-anglezo-amerikanë. Së këndejmi, thonë, se po mos të ishin partizanët me LANÇ, Shqipëria do të zhbëhej. Kjo tezë nuk qëndron. Sikur Shqipëria të mos kishte komunistët mund të mbetej më e madhe se kaq, por kurrsesi më e vogël se kaq. Gjatë Luftës së Parë Botërore të gjithë patriotët shqiptarë ishin me humbësit e luftës . Gjatë Luftës së Parë Botërore, të gjitha forcat politike në Shqipëri (përjashto Esat Pashë Toptanin) ishin të radhitura në krah të fuqive të boshtit (austro-hungarezët, gjermanët dhe turqit). Pra, ishin me humbësit. Një fakt formal që nuk çonte edhe gjithaq peshë ishte se qëndrimi zyrtar i qeverisë shqiptare i marrë që në kohën e Princ Vidit si palë neutrale në konfliktin botëror. Me gjithë këtë, kjo gjë ishte një formalitet, pasi shumicën e territorit shqiptar gjatë katër viteve të luftës e administronte Austro-Hungaria. Shqipëria u rrezikua së tepërmi, por u njoh sërish si shtet në kufijtë e Konferencës së Londrës së vitit 1913. Për më tepër, shqiptarët shkuan e vranë në mes të Parisit liderin e së vetmes forcë politike që kish qenë që nga fillimi me aleatët fitimtarë, Esat Pashë Toptanin (me serbët, francezët, italianët). Shqipëria, përkundër këtij fakti nuk u zhbë. E pra, kur nuk u zhbë pas Luftës së Parë Botërore, përse do të zhbëhej pas Luftës së Dytë Botërore, edhe nëse nuk do t’i kishte partizanët dhe luftën e tyre? Në Luftën e Dytë Botërore (sidomos pas kapitullimit të Italisë), Shqipëria ishte në pozitë më të mirë se sa gjatë Luftës së Parë Botërore. Gjermania hitleriane, të paktën nga ana formale, ia njihte neutralitetin, ushtarët gjermanë në Shqipëri blinin me valutën shqiptare, e për më tepër gjermanët kishin shprehur gatishmëri që të tërhiqeshin nga Shqipëria nëse qeveria shqiptare do të merrte garanci nga ango-amerikanët se nuk do të zbarkonin në Shqipëri. Këtë garanci anglo–amerikanët nuk e dhanë jo pse kishin interes që të zbarkonin në Shqipëri apo se prisnin që gjermanët do të merrnin goditje të fortë nga partizanët shqiptarë, por pse pranimi i këtij kushti do të thoshte njohje e Shqipërisë në kufijtë që Shqipëria i zotëronte në atë kohë e që përfshinte edhe Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe Jugun e Malit të Zi (fatkeqësisht, jo edhe Çamërinë). Anglo-Amerikanët kishin frikë se nëse do ta pranonin këtë kusht, do t’i dekurajonin forcat antigjermane në Serbi, Bosnjë e Mal të Zi. Sidoqoftë, nëse aleatët anglo-amerikanë nuk ishin të gatshëm ta pranonin “Shqipërinë e Madhe”, kjo nuk do të thotë se nuk do ta njihnin një Shqipëri të zvogëluar në kufijtë e vitit 1913. Se mos partizanët shqiptarë nxorën më shumë se kaq. Forcat kryesore politike shqiptare në mbarim të Luftës së Dytë Botërore mbanin qëndrime oportuniste Këto forca ishin: 1. Lidhja e Dytë e Prizrenit (që u kryesua fillimisht nga Rexhep Mitrovica e më pas nga Bedri Pejani dhe në fund nga Xhafer Deva); 2. Legaliteti (që mblidhte zogistët dhe udhëhiqej nga Abaz Kupi); 3. Balli Kombëtar (që mblidhte liberalët, demokratët dhe socialdemokratët republikanë dhe udhëhiqej nga Mit’hat Frashëri) dhe 4. Partia Komuniste e Shqipërisë, që udhëhiqej de jure nga Enver Hoxha dhe de facto nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha. Të gjitha këto forca politike, duke pasur parasysh madhësinë e vendit dhe duke qenë tradicionalisht një popull mercenar, mbanin kush më shumë e kush më pak qëndrime oportuniste karshi palëve ndërluftuese në rrafshin botëror. Mjafton të tregojmë se Kryeministri i Shqipërisë, Fiqri Dine (18 korrik -26 tetor 1944), komunikonte edhe me gjermanët, edhe me anglo-amerikanët, si dhe vetë fakti i mosndjekjes së hebrenjve (pos atyre që u morën me veprimtari terroriste komuniste), qoftë gjatë kohës së Dines, qoftë gjatë kohës së R. Mitrovicës e Xh. Devës (4 nëntor 1943 – 18 korrik 1944), tregon se forcat politike në Shqipëri mbanin qëndrime të dyanshme duke pritur se kush nga fuqitë e mëdha po del fituese. Komunistët shqiptarë nuk vrisnin gjermanë, por shqiptarë E vetmja forcë politike që pa ekuivokë kishte marrë anë, ishte Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila ishte, pa dyshim, në anën e Rusisë e kundër Gjermanisë. Por komunistët shqiptarë, sipas ambasadorit amerikan të kohës pranë qeverisë së Greqisë, nuk po luftonin gjermanët, por vetëm po vrisnin shqiptarë të tjerë. Është edhe një e vërtetë e madhe historike: 4 forcat politike kryesore në fund të Luftës së Dytë Botërore: kolaboracionistët, zogistët, ballistët dhe komunistët, ishin të shtrira anë e kënd Shqipërisë së atëhershme, që përfshinte edhe Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe Jugun e Malit të Zi. Por, po ashtu është edhe një e vërtetë tjetër se ballistët dhe komunistët kishin koncentrim më të madh në Jug të Shqipërisë, zogistët në Shqipërinë e Mesme, kurse kolaboracionistët në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Fërkimi i këtyre forcave me gjermanët (përfshi këtu edhe komunistët) ishte minor. Fërkimi i këtyre forcave mes vete, po ashtu, ishte minor nëse veçojmë komunistët. Nuk kishte përleshje mes Ballit Kombëtar dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse kishte dallime mes tyre. Derisa ballistët e shihnin me më shumë rezervë praninë gjermane në Shqipëri (nga frika se gjermanët do ta humbnin luftën), anëtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, praninë e ushtrisë gjermane e shihnin si garanci për ekzistencën e Shqipërisë në kufijtë etnikë. Për më tepër, themeluesit e tyre, Rexhep Mitrovica e Mit’hat Frashëri, ishin miq të vjetër që nga rinia e hershme dhe që të dy ishin nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë më 1912. Edhe dallimi mes këtyre dy forcave politike dhe Lëvizjes së Legalitetit ishte më tepër një çështje e vendimit demokratik se çfarë sistemi politik duan shqiptarët, monarki apo republikë, sesa një çështje që zgjidhet me tytat e armëve. Qëllimi i komunistëve ishte të bashkëpunonin me armiqtë e vërtetë të Shqipërisë për t’i mundur rivalët politikë Përjashtim në këtë drejtim bënin vetëm komunistët, të cilët kishin një synim të qartë po aq sa edhe Esat Pashë Toptani: të bashkëpunonin me armiqtë e vërtetë të Shqipërisë për t’ua marrë pushtetin rivalëve të vet politikë. Derisa forcat e tjera politike e konsideronin se lufta me komunistët ishte vëllavrasje, komunistët në mënyrën më makiaveliste i terrorizonin shqiptarët duke vrarë rivalët e vet politikë. Forcat tjera u treguan naive duke e nënçmuar forcën e komunistëve. Tre më të shquarit që e dinin rrezikun nga komunistët ishin Xhafer Deva, Branko Merxhani e Vangjel Koça. Por, derisa Branko Merxhani paralajmëroi me kohë rrezikun nga marksizmi dhe iku ne Turqi kur pa se ç’po ndodhte, ndërsa Vangjel Koça vdes aksidentalisht më 1943-shin, Xhafer Deva e luftoi komunizmin derisa pati fuqi. Patriotët shqiptarë u treguan naivë, por s’duhet t’u hahet haku Rexhep Mitrovica ishte më tolerant ndaj aktiviteteve të komunistëve. Ai, si edhe shumë të tjerë që ishin kundërshtarë të komunizmit, nuk e nuhatnin rrezikun komunist. Rexhep Mitrovica e kishte nxjerrë nga burgu komunistin Bujar Hoxha, edhe pse e dinte se ishte komunist vetëm e vetëm pse ky ishte djali i Hoxha Kadri Prishtinës, organizatorit të Kongresit të Lushnjës (rrëfim ky i Bujar Hoxhës viteve ‘90). Nazizmi i solli të këqija katastrofale Gjermanisë dhe shumë popujve tjerë të botës, por shqiptareve u solli vetëm të mira (prosperitetin ekonomik, bashkimin me Kosovën, Maqedoninë Perëndimore e Jugun e Malit të Zi, shpëtimin e këtyre trevave nga gjenocidi arsimimin në gjuhën shqipe në këto vise etj.). Kur ne u japim hakun e merituar personaliteteve tona historike, me këtë ne nuk e ngjallim nazizmin, por thjesht bëjmë dallimin e vlerave dhe antivlerave për kombin. Nëse ne nuk i kemi hedhur në baltën historisë gjithë patriotët shqiptarë pse në kohën e Luftës së Parë Botërore ishin me palën humbëse, përse këtë ta bëjmë me Rexhep Mitrovicën e Xhafer Devën vetëm pse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin me humbësit? Të keqen 45-vjeçare e patëm nga fituesit, e jo nga humbësit.
Gazeta "Panorama"