Prishtinë, 17 nëntor 2011, NOA- Në fjalën e mbajtur në seancën e sotme parlamentare Kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se është përfolur së shumti si nga politika dhe nga personalitete publike se zgjidhja për veriun është dhënia e asaj pjese të Kosovës, Serbisë.
Duke vijuar më tej ai shtoi se ky variant nuk qëndron dhe nuk do të ketë as ndryshim të kufijve apo këmbim të territoreve.
“E ritheksoj edhe njëherë, Kosova është e njohur nga 86 shtete, me integritetin territorial të respektuar, të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Pyetja ime në këtë drejtim, edhe si Qeveri e Kosovës, është se a janë këto qëndrime të partive të caktuara politike, apo vetëm qëndrime individuale. Por, Qeveria e Kosovës do të vazhdoj të respektoj plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për respektimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, dhe natyrisht asnjë cep i territorit të Republikës së Kosovës të mos i jepet Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Në këtë linjë ai tha se ndarja e territorit të Kosovës është një ide shumë e rrezikshme.
Ndërsa lidhur me menaxhimin e integruar të kufijve ai tha se, kjo nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërmjet të gjitha autoriteteve përkatëse, për vendosjen e sistemeve të efektshme të menaxhimit të integruar të kufirit, me qëllim arritjen e objektivave të kufijve të hapur, por të mirëkontrolluar dhe të sigurt.
a.y/NOA