English

Çfarë kërkojnë protestuesit

"Dokumenti në përgjithësi më duket i arsyeshëm; dhe sikur të adoptohej vërtet, do të sillte efekte pa dyshim pozitive në jetën e çdo amerikani që i përket atij 99% të titullit"

Nga Ardian Vehbiu

Meqë këto ditë protestat e njohura si “Occupy Wall Street” janë përshkallëzuar, veçanërisht në qytetet e mëdha të ShBA-ve, është vendi t’u hedhim një sy kërkesave politike të këtyre protestuesve, të cilat jo rrallë shtrembërohen dhe përqeshen nga mediat e afërta me establishment-in.

Më poshtë po sjell, të shkurtuara dhe të përshtatura, kërkesat e parashtruara në një dokument të njohur si “The 99% Declaration”. Edhe pse nuk e kam të qartë, nëse kjo deklaratë është njohur dhe adoptuar nga të gjitha grupet dhe rrymat e lëvizjes së protestës, divergjencat duket se kanë të bëjnë me çështje procedurale dhe organizative, jo me thelbin e kërkesave të lëvizjes.

1. Të eliminohet shteti korporativ, ose shkrirja e sistemit politik të demokracisë republikane me sistemin ekonomik të kapitalizmit, e cila ka çuar në një qeverisje të korporatave, prej korporatave dhe në të mirë të korporatave. Kjo të arrihet nëpërmjet ndalimit të menjëhershëm dhe me ligj (mundësisht me amendament kushtetues) të të gjitha kontributeve financiare private për politikanët që kërkojnë të zgjidhen në poste publike; dhe financimi i fushatave do të bëhet nëpërmjet financimit publik. Gjithashtu, të hidhet poshtë koncepti që i konsideron korporatat si persona dhe u njeh atyre ato të drejta që u njihen personave individualë.

2. Të refuzohet haptazi dhe solemnisht koncepti që e barazon paranë me fjalën e lirë dhe që nënkupton se pagesa e politikanëve prej korporatave, individëve të kamur dhe organizatave sindikale është e barasvlershme me ushtrimin e mbrojtur të lirisë së fjalës.

3. Të eliminohen me ligj të gjitha përfitimet dhe privilegjet private të politikanëve, funksionarëve publikë dhe familjarëve të tyre të afërt, në mënyrë që këta të mos mund të punësohen më pas prej korporatave, individëve ose bizneseve të cilat administroheshin prej këtyre politikanëve dhe funksionarëve kur këta ishin në detyrë.

4. Të vendosen kufij në ushtrimin e detyrës të përfaqësuesve të zgjedhur në Kongres dhe në Senat, në mënyrë që përfaqësimi të mos katandiset në karrierë dhe burim pasurimi.

6. Të përpilohet një kod taksash i paanshëm, i tillë që t’u kërkojë të gjithë qytetarëve dhe korporatave të paguajnë pjesën e tyre të një takse progresive dhe të shkallëzuar ndaj të ardhurave, duke eliminuar të gjitha mënyrat dhe marifetet ekzistuese për pagesën e taksës. Çdo korporatë që bën biznes në ShBA do t’u nënshtrohet taksave përkatëse, pavarësisht se ku ka zgjedhur ta vendosë rezidencën e saj fiskale.

6. Të vendoset një shërbim shëndetësor për të gjithë, nëpërmjet adoptimit të një sistemi me pagues të vetëm (single-payer).

7. T’i kushtohet vëmendje përparësore mbrojtjes së mjedisit në mbarë botën.

8. Të merren masa të jashtëzakonshme për reduktimin e borxhit publik, nëpërmjet taksimit progresiv dhe shkurtimit të shpenzimeve për korporatat e sektorit të armatimeve, industrisë farmaceutike, industrisë së naftës dhe gazit dhe sektorë të tjerë që, në momentin e tanishëm, nxjerrin fitime të mëdha nga buxheti federal.

9. Të sigurohet punësim për të gjithë amerikanët.

10. Të implemetohet një program për t’u lehtësuar borxhin studentëve, i cili sot për sot kap shifrën e 1 trilion dollarëve; në rrethanat kur kriza financiare, e shkaktuar nga grykësia e korporatave, ua ka errësuar këtyre studentëve perspektivën e punësimit.

11. Të kryhet reforma e imigrimit dhe përmirësimit të sigurisë kufitare.

12. Të mbyllen bazat ushtarake jo-kritike dhe të thirren në atdhe ushtarët e dislokuar atje.

13. Të reformohet arsimi publik, duke eliminuar sistemin e “tenure” në universitetet dhe duke u paguar mësuesve rroga kompetitive.

14. T’i jepet fund praktikës së outsourcing, nëpërmjet politikave fiskale që ndëshkojë ato kompani që i çojnë punët dhe bizneset jashtë ShBA.

15. T’i jepet fund manipulimit të valutës.

16. Të ndërmerret një reformë e sistemit bankar dhe të tregjeve të letrave me vlerë, duke i rregulluar këto fusha ligjërisht dhe duke adoptuar një taksë shitjeje ndaj transaksioneve në këto tregje.

17. Të ndërmerren masa të jashtëzakonshme për të zgjidhur krizën e hipotekave.

18. Të krijohet një komision nën mbikëqyrjen e Kongresit, për të shqyrtuar eliminimin e Bankës së Rezervës Federale, e cila është bankë private, dhe transferimin e funksioneve të saj Departamentit të Thesarit të ShBA.

19. Të eliminohet Kolegji Elektoral, të reformohet sistemi i financimit të fushatave elektorale dhe të kryhet reforma zgjedhore.

20. T’i jepet fund luftës në Afganistan.

21. Të hidhet poshtë ligji i njohur si Akt i Mbrojtjes së Martesës, meqë të gjithë njerëzit kanë të drejtë të dashurojnë dhe të martohen pavarësisht nga gjinia dhe orientimi i tyre seksual.

Një pjesë e mirë e këtyre kërkesave kanë të bëjnë me kontekstin politik dhe social specifik të ShBA, por të tjera, dhe ndoshta më të rëndësishmet, lidhen me thelbin e mënyrës si funksionon politika brenda një sistemi kapitalist; sidomos ato që u referohen marrëdhënieve të politikës me korporatat.

Dokumenti në përgjithësi më duket i arsyeshëm; dhe sikur të adoptohej vërtet, do të sillte efekte pa dyshim pozitive në jetën e çdo amerikani që i përket atij 99% të titullit. Këto kërkesa politike synojnë, në tërësinë e tyre, që t’i shpëtojnë ShBA, si realitet gjeopolitik dhe si vizion, nga katastrofa ku po e çon kapitalizmi financiar, spekulimi, grykësia e një pakice reptilësh, dhe sistemi i kamatës i ngritur në art.

Për fat të keq, të gjitha ato kanë nevojë për angazhimin e drejtpërdrejtë të shtetit, madje edhe në fusha të cilat tradicionalisht i janë besuar iniciativës private; por ky i tanishmi është një nga ato momente historike, kur ndoshta vetëm shteti, duke ndërhyrë me dorë të fortë, mund ta mbrojë shoqërinë amerikane nga kolapsi, degradimi dhe shpërbërja.

“Shekulli”

KOMENTE