Nga Petrit Palushi
Në Prishtinë, vëmendja që tregohet ndaj botimeve të Tiranës, është e madhe, madje e lakmueshme, kurse në Tiranë, botimet e Prishtinës mbeten gjithmonë në periferi.
Panairi i librit i Tiranës mbaroi dhe tani nis periudha post-panair, që edhe kjo nuk do të sjellë diçka të re, ose më saktë, do të jetë e kronometruar në rrjedhën e përgjithshme të kësaj odiseje.
Panairi nuk solli ndonjë risi, për shkak të konceptimit të gabuar se panairi është një magazinë e madhe publike ku shiten libra dhe 20-përqindëshin e shitjes së librit, nuk e mban më librari, por blerësi. E reja e vjetër që u shfaq në këtë panair qe dhuna mediatike mbi vetë librin në përgjithësi.
Kamerat në veçanti, por edhe shkrimet e gazetave u fokusuan në 5 libra: të Blendi Fevziut, Edi Ramës, Ben Blushit, Elena Kadaresë dhe deri diku të Spartak Ngjelës, ose më saktë për t’i thënë Ngjelës se të kemi edhe ty. Kjo metodë filloi ende pa dalë librat nga shtypi, një muaj a dy javë më parë dhe panairi mori formën e një kryqëzate, të pashfaqshme më parë kësilloj. Ky panair më ngjau me tregun e zi të patateve, ku vëmendja përqendrohet vetëm te thasët në hyrje të tregut dhe natyrisht, shiten vetëm ata thasë me patate, pronarët e të cilëve bërtasin me të madhe përmes altoparlantëve. Thënë pak më ndryshe: Ky treg patatesh është vetëm për ne që bërtasim më shumë!
Të ngjante se media po përcillte një kumt: në këtë Panair keni parajsën dhe ferrin. Merruni me parajsën, ajo është te këta 5 libra, mos humbni kohë të merreni me ferrin!
Kjo do të thotë se nëse një blerës ka ndarë veçmas 50 mijë lekë të vjetra për të blerë libra në panair, ato duhet t’i shpenzojë detyrimisht te librat që veçonte media, të cilët, nuk mund t’i paragjykoj, pavarësisht nga kontestimet që mund të kem unë për njërin a tjetrin libër.
Kur fillon një garë vrapimi, nisja e atletëve bëhet menjëherë, sapo dëgjohet vërshëllima e bilbilit. Vetëm në luftë nuk ka rregulla, se një shtet nis luftën i pari kundër një tjetri. Pra, panairi i librit i këtij viti nisi me paragjykime, me bubullima mediatike, sa në një farë forme të kujton zhurmën për romanet e Rudina Xhungës, dhe tashti, në periudhën post-Rudina Xhunga, problemi është i qartë për këdo që di të lexojë shqip. Ose, botuesja e librit të Edi Ramës, ngazëllehej nëpër prononcime për librin, sikur ta kishte shkruar ajo vetë librin dhe jo Edi Rama.
Është një lloj çmeritje kur sheh në Panair, se anashkalohen ose mbeten jashtë vëmendjes, qoftë edhe mediatike, korpusi letrar i Martin Camajt, një prej autorëve më të ndjeshëm të shekullit XX. Për këtë autor bëhen plot studime, merren grada shkencore, por asnjëri prej studiuesve s’është në gjendje ta afrojë këtë autor si duhet te lexuesi, ndoshta për shkak të defekteve të tyre të vëzhgimit, aq më tepër kur edhe media e ka lënë në periferi. Në panair, rendja pas veprave bubulluese, kam përshtypjen se la jashtë vëmendjes prozën e Dino Buxatit, (dëshiroj të kem gabuar në këtë konstatim timin), ose dhe autorë të huaj apo vendas, të cilët presin vetëm ditën fatlume të mbijetesës së tekstit të tyre. Të njëjtën gjë mund të them edhe për veprën e Arshi Pipës, botuar tek “Princi”. Në këtë kontekst, eseja e tij “Stalinizmi shqiptar”, është sa tronditëse aq edhe joshëse për këdo që përpiqet të mësojë të vërtetën se ç’katrahurë ndodhi në Shqipëri në vitet e sundimit komunist dhe, sipas meje, është një nga shpalimet më interesante për mizorinë e diktatorit Hoxha. Edhe në këtë panair, Arshi Pipa vazhdoi të refuzohet, sa të duket se anatemat mbi të, siç ranë në kohën kur jetonte, vazhdojnë edhe mbas vdekjes së tij.
Kam përshtypjen se një libër që do të meritonte vëmendjen, pa dyshim që do të ishte rrëfimi i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu, ku termi mrekulli e tekstit, mund t’i shkonte këtij teksti. Kopertina e këtij libri duhet të ishte mu në hyrje të panairit, si ftesë për të kundruar Bekim Fehmiun në një aspekt të veçantë. Por ky libër është botuar në Prishtinë te “Koha Ditore”; përfytyroni nëse ky libër do të ishte botuar në një prej shtëpive botuese ku kamerat i kanë pranë ende pa u hapur zyrat e tyre, dhe do të kishim një libër realisht të vëmendshëm dhe të shitur, mu për shkak të vlerave dhe jo të venerimeve jashtëletrare dhe lexuesi nuk do të zhgënjehej siç mund të zhgënjehet me disa prej librave reklamues, dhe njëri prej këtyre të zhgënjyerve jam edhe unë mbasi pata rastin të lexoja dy prej tyre. Njëlloj mund të thuhet edhe për librin e Shkëlzen Maliqit, ku ajo që shpërfaqet në këtë libër, është gati-gati e panjohur për lexuesin e Shqipërisë, siç mund të thuhet njëlloj edhe për librin e Arbën Xhaferit, por ftesa mediatike për këta libra (e kam fjalën për Tiranën) qe krejt e përciptë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për stendat e botuesve të tjerë kosovarë; pa kurrfarë reklame mediatike, sikur ato të vinin prej një planeti tjetër dhe me një qëllim të vetëm: soditës të panairit. Te stendat e botuesit të “Faik Konicës”, qenë edhe botimet e veprës letrare të Konicës, Koliqit, studimet kritike të Rugovës, vepra letrare e Beqir Musliut, etj., por është trishtuese të pyesësh botuesin e njohur N. Rrahmani se cila qe vëmendja mediatike ndaj botimeve të këtij lloji.
Në Prishtinë, vëmendja që tregohet ndaj botimeve të Tiranës, është e madhe, madje e lakmueshme, kurse në Tiranë, botimet e Prishtinës mbeten gjithmonë në periferi.
Çmimet letrare (jo vetëm të panaireve) pothuajse dështuan, me panairet e librit kryhen abuzime në mes të ditës, atëherë duhet të nisë reflektimi. Së pari, duhet të reflektojnë botuesit dhe të përpiqen të gjejnë ato modele që të afrojnë lexuesit pranë botimeve të tyre, por që edhe kur ndajnë çmimet letrare t’i shmangen konformizmit që, më së shumti, i dëmton vetë ato. Ankesat e tyre të nënzëshme, thuajse si pëshpëshe, se nisin një betejë të pabarabartë nëpër panaire, duhet të bëhen publike, që tekefundit, edhe shoqëria të reflektojë si duhet mbi librin dhe kumtin real që afron ai. Por edhe studiuesit e kritikët e letërsisë, duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj asaj që serviret, dhe jo të shfaqen si zullumqarë nëpër juri, sa shpesh të ngatërrojnë edhe librin ese me librin fiction, si t’u thonë lexuesve: Ne e kryem detyrën! Edhe ne kemi rrethin tonë vicioz të librave! Ju, gjejeni vetë librin e mirë!
NOA