English

Haxhinasto- Hoxhaj: Dialogu duhet të vazhdojë

Prishtinë, 18 nëntor 2011, NOA- Në vijim të qëndrimit të tij në Kosovë shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Hashinasto zhvilloi një takim me homologun e tij kosovar Enver Hoxhaj.

Në përfundim të takimit në konferencën e përbashkët Haxhinasto tha se gjatë bisedës u shqyrtuan gjithë problematikat e dy vendeve dhe u konstatua se objektivat e dy vendeve synojnë drejt integrimit të shpejtë midis dy vendeve në fushën ekonomike, në fushën e infrastrukturës, bashkëpunimin në fushën e energjisë si dhe bashkëpunim.

Ai vlerësoi si të një rëndësie të veçantë integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe përshëndeti vendimin e marrë për hartimin e një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Jashtëm shqiptar u ndal në situatën në veri të Kosovës ku theksoi se Shqipëria dëshiron që procesi i dialogut të vazhdojë, që marrëveshjet e konkluduara të zbatohen, që askush të mos e përdorë procesin e dialogut si një pasaportë për të hedhur një hap tjetër drejt BE-së.

“Marrëveshjet e arritura duhet domosdoshmërisht të realizohen, pasi kështu i shërbehet thellimit të procedurave për dialog dhe në fund të fundit i shërbehet dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Unë dëshiroj gjithashtu të them, se Republika e Shqipërisë vlerëson që Kosova duhet të jetë sa më parë pjesë e gjithë inciativave rajonale, pasi në themel të këtyre iniciativave ka qenë bashkëpunimi midis njerëzve, bashkëpunimi i tyre për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të arritur një nivel, një standard të bashkëpunimit të dialogut të politikanëve, të elitave politike e të përfaqësuesve të zgjedhur të vendeve të rajonit për t’u kualifikuar për integrime të mëtejshme në BE”, u shpreh Haxhinasto.

Në përfundim të fjalës së tij ministri shqiptar tha se një vëmendje kryesore zë integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht, njohja e pavarësisë së saj nga shtete të tjera.

a.y/NOA

KOMENTE