Prishtinë, 18 nëntor 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ishte i pranishëm sot në Kosovë ku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Europa Juglindore në epokën multipolare”, të mbajtur në Prishtinë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Haxhinasto u shpreh se, “Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë. Ndarja modifikimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve janë në kundërshtim të plotë me frymën e integrimit europain dhe i përkasin të kaluarës tragjike dhe të dhimbshme. Kosova është një realitet i pakthyeshëm, i njohur sot nga 85 vende të botës, një e katërta e të cilëve janë anëtarë të Bashkimit Europian dhe NATO-s”.
Ndër të tjera ai bëri thirrje që ato 5 vende të Bashkimit Europian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta marrin këtë hap sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministri shqiptar theksoi se, Shqipëria mbështet fuqishëm integritetin territorial të Republikës së Kosovës, pasi respektimi i kufijve aktualë është një faktor kyç për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
“Ne përkrahim bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA, si dy vende të pavarura dhe sovrane, bazuar në parimet e barazisë dhe reciprocitetit dhe në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Dialogu nuk është një certifikatë për të kërkuar statusin e kandidatit për Serbinë, por një detyrim që duhet të përmbushet”, u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare.
Haxhinasto kërkoi që Serbia të njohë realitetin e ri në kufijtë e saj: Kosovën e pavarur dhe multietnike brenda kufijve aktualë. Gjithashtu ai theksoi se dialogu Kosovë- Serbi i ndërmjetësuar nga BE, nuk është certifikatë për Serbinë për të marrë statusin e vendit kandidat, por një detyrim që duhet të përmbushet.
Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në Veriun e Kosovës, Haxhinasto theksoi se Shqipëria mbështet vullnetin e qeverisë së Kosovës për rivendosjen e shtetit ligjor dhe rregullit në të gjithë territorin e Kosovës dhe vlerësojmë pozitivisht normalizimin e situatës në bashkëpunim të plotë me EULEX dhe KFOR.
Ndërsa duke përshëndetur nisjen e procesit të liberalizimit të vizave si fillimin e bashkëpunimit të thellë të Kosovës me BE-në, ministri Haxhinasto tha se tashmë Kosova ka një agjendë të qartë integrimi, është një realitet europian dhe se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian.
Në këtë konferencë ishin të ftuar mbi 100 personalitete nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve ministrat e jashtëm nga vendet e rajonit, ndërsa konferenca u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Punët e Jashtme, me përkrahjen e Këshillit Britanik dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
a.y/NOA