English

India e re, Europa e vjetër?

Nga Shashi Tharoor

Takimi dypalësh mes Italisë dhe Indisë i mbajtur së fundmi në Milano më 7 nëntor, në një kohë kur Italia po bën përpjekjet e saj për t’u rimëkëmbur nga kriza e euros dhe Silvio Berluskoni në mënyrë të pashmangshme paraqiti dorëheqjen e tij politike, solli në kujtesë potencialin dhe kufijtë e marrëdhënieve mes Indisë dhe Bashkimit Eyropian. India ka një histori të gjatë të marrëdhënieve me Evropën, po të shikojmë pas, në ditët e Perandorisë Romake. Shteti i saj jugperëndimor i Keralas krenohej me portin romak, Muziri, shekuj para lindjes së Jezu Krishtit. Gërmimet tani kanë zbuluar edhe më shumë për pasurinë dhe ndikimin e këtij porti. Zbulimi i amforave të lashta ka konfirmuar se India importonte produkte të tilla si vaj ulliri, verë, dhe qelq nga Italia, në këmbim të sendeve ekzotike si fildishi dhe erëzat. Mjaft interesante është gjetja, gjatë gërmimeve në rrënojat e Pompeit në jug të Italisë, e një statujë fildishi e perëndeshës Hindu, Lakshmi, që daton në shekullin e parë para Krishtit. Pas venitjes për shekuj me radhë, tregtia edhe një herë është duke formësuar marrëdhëniet mes këtyre dy rajoneve të botës. BE-ja është partneri i dytë më i madh tregtar i Indisë, me një qarkullim që arrin 68 bilion euro (93,5 bilion dollar) në 2010, që llogarit 20% të tregtisë globale të Indisë. Eksporti i shërbimeve nga Evropa nëIndi kap vlerën e 10 bilion euro, ndërsa importi i shërbimeve arrin pak më shumë se 8 bilion euro. India ka një afinitet të veçantë me BE-në, e cila jo ndryshe nga ajo, gjithashtu, është një bashkim ekonomik dhe politik i shteteve që ndryshojnë nga ana gjuhësore, kulturore, dhe etnike. Por në fakt, këto afinitete nuk janë përkthyer praktikisht në marrëdhënie të ngushta politike apo strategjike. Në vitin 1963, India ishte një nga vendet e para që vendosi marrëdhënie diplomatike me Komunitetin Ekonomik Evropian (paraardhësi i BE-së së sotme), dhe Partneriteti Strategjik Indi- BE dhe Plani i Veprimit të Përbashkët të vitit 2005 dhe 2008 ofrojnë një kuadër bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Por do të duhet kohë për BE-në të zhvillojë një kulturë të përbashkët strategjike. Shtetet anëtare të BE-së duhet të kenë një qasje të përbashkët për problemet e sigurisë kombëtare para se të zhvillojnë një bashkëpunim kuptimplotë strategjik midis BE-së dhe Indisë. Një tjetër pengesë e rëndësishme për marrëdhëniet Indi-BE është se indianët nuk duan që dikush t’u japë udhëzime atyre. Një nga dështimet e mëdha në bashkëpunim BE-Indi ka qenë tendenca e Evropës për të ndërhyrë në Indi mbi çështje të tilla si të drejtat e njeriut, çështje të cilat indianët mendojnë se mund ti trajtojnë fare mirë edhe vetë. Një demokraci për më shumë se gjashtë dekada (më shumë se disa vende anëtare të BE-së), India i shikon të drejtat e njeriut, si një çështje jetike vendore. As Amnesty International Human Rights Watch, as ndonjë institucion Evropian nuk ka ngritur as edhe një problem të vetëm në lidhje me të drejtat e njeriut në Indi, që qytetarët indianë, gazetarët, dhe OJQ-të nuk e kanë konstatuar tashmë dhe nuk e kanë trajtuar brenda hapësirës politike demokratike të Indisë. Duke pasur parasysh këtë, përpjekjet e BE-së për të shkruar dispozitat e drejtave të njeriut në një marrëveshje të tregtisë së lirë me Indinë, sikur të ishin standarde të emetimit të automobilave, kjo përpjekje e zmbrapsi Indinë. Tregtia nuk duhet të mbahet peng e politikës së brendshme evropiane për të drejtat e njeriut. Në lidhje me të drejtat e njeriut, India dhe BE janë në të njëjtën anën dhe kanë të njëjtat aspirata. Pasi ky episod irritues për Indinë të kapërcehet, negociatat mbi marrëveshjen e tregtisë së lirë, të cilat kanë mbetur për një kohë të gjatë në fazën e tyre "finale", mund të përfundohet, dhe duhet të përkthehen në tregti të lirë. Mes BE dhe Indisë ka gjithashtu edhe vend për bashkëpunim teknologjik. Fuqia mendore (intelekti) shkencor i bollshme dhe i lirë në Indi dhe reputacionin e saj në rritje për "risi jo të shtrenjta" ofrojnë një mundësi mjaft interesante për të bashkuar këtë forcë mendore me kapacitet inxhinierike evropiane. Sigurisht, ka pengesa serioze strukturore. Ironikisht, duke lënë mënjanë polemikën mbi të drejtat e njeriut, BE-ja ka favorizuar për një kohë të gjatë më shumë Kinën se Indinë: për çdo euro që BE investon në Indi, ajo investon 20 € në Kinë. Duhet pranuar se kjo ka ndodhur pjesërisht për faj të Indisë, pasi ajo nuk ka krijuar një klimë të pëlqyeshme për investimet e huaja. Një tjetër pengesë është se India preferon më shumë marrëveshjet bilaterale me shtetet anëtare të veçanta se sa me BE-në mënyrë kolektive. Një gjë e tillë mund të jetë e kuptueshme, duke marrë parasysh mungesën e kohezionit të institucioneve evropiane mbi çështjet strategjike. Që kur, nëpërmjet Traktatin të Mastrihtit u krijua BE-ja në vitin 1992, Europa është përpjekur të ketë një “politikë të jashtme të përbashkët”, por jo një politikë të jashtme “të vetme”. Nëse do të ishte kështu, shteteve anëtare të BE nuk do t’i duheshin dy nga pesë vende të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB, dhe nuk do të kërkonte edhe një të tretë. Megjithatë, bashkëpunimi Indi-BE nuk mund të bëhet më i fortë se kaq, për sa kohë pjesa më e madhe e zonave problematike të botës shtrihen mes Indisë dhe Evropës. Ekziston rreziku që India mund ta shikojë Evropë si tërheqëse por të parëndësishme, kontinentin ideal për pushime verore, por jo për biznes serioz. Bota do të jetë më e varfër në qoftë se kontinenti i vjetër dhe kontinentet periferike në zhvillim dështojnë të ndërtojnë vlera të përbashkëta demokratike dhe interesa të përbashkëta për të ofruar një alternativë të vërtetë konkurruese për dominimin amerikano-kinez.

Shashi Tharoor, ish-ministri i shtetit indian për Çështjet e Jashtme dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, është një deputet indian dhe autor i një duzinë librash, duke përfshirë edhe “India nga mesnata në mijëvjeçar” Marrë nga Project-Syndicate.com

KOMENTE