English

Mediu: Punë për të evituar përmbytje si në 2010

Podgoricë, 19 nëntor 2011, NOA- Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu ishte në një vizitë zyrtare në Mal të Zi, në kuadër të masave dhe angazhimeve të përbashkëta të dy shteteve për të minimizuar dhe evituar në të ardhmen dëmet nga përmbytjet, siç ishte ajo e vitit 2010.

Gjatë vizitës ministri Mediu u takua me ministrin e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Tarzan Milosheviç.

Dy ministrat dhe stafet përkatëse diskutuan në lidhje me punimet që janë kryer në të dy vendet, kryesisht në disiplinimin e lumit Buna, lumë i cili ka efekte të përbashkëta në të dy shtetet, përfshirë edhe liqenin e Shkodrës.

“Të gjitha ndërhyrjet, duhet të kenë si objektiv, efektet social-ekonomike për banorët e zonës, duke i evituar atyre tragjedi siç ndodhi me përmbytjen e vitit 2010”, u shpreh Mediu.

Nga ana e tij ministri Milosheviç, u shpreh se tashmë bashkëpunimi mes të dy vendve është më i fortë se kurrë dhe mjaft intensiv. “Ju përgëzojmë për të gjitha punimet që keni kryer në argjinaturat e lumit Buna, të cilat deri tani kapin një vlerë 10 milionë dollarë, pasi të gjitha këto vepra do të kenë efekt të menjëhershëm edhe në vendin tonë”, theksoi Milloshevic.

Gjatë vizitës në Podgoricë ministri Mediu zhvilloi edhe një takim me ministrin e Turizmit dhe të Zhvillimit të Qëndrueshëm, zotin Predrag Sekuliç, ku në qendër të diskutimeve ishin sfidat e përbashkëta të dy vendeve, siç janë ndryshimet klimaterike, një cënim i përbashkët ndaj vijës tonë bregdetare, ndotja e liqenit të Shkodrës, si dhe përpjekjet për të zhvilluar turizmin në zonën e Bjeshkëve të Namuna. “Ne duhet të veprojmë së bashku, sikur të mos kishim kufij që na ndajnë, pasi këto sfida duhet të na bashkojnë akoma më shumë”, u shpreh Mediu gjatë këtij takimi.

Një tjetër pikë diskutimi mes të dy ministrave ishte edhe kthimi i Bjeshkëve të Namuna në një destinacion turistik në shërbim të të gjithë rajonit por edhe më gjerë. “Ne jemi të gatshëm të marrim nga eksperienca dhe asistenca malazeze, e cila tashmë ka avancuar së tepërmi në fushën e Turzimit, në mënyrë që këtë pasuri të përbashkët, siç janë bjeshkët e Namuna ta kthejmë në një destinacion turistik”, u shpreh Mediu.

a.y/NOA

KOMENTE