Mitrovicë, 18 nëntor 2011, NOA- Një grup deputetësh të Parlamentit Britanik kanë vizituar ditën e sotme Mitrovicën, ku janë pritur nga nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri.
Ata biseduan për aktualitetin në Mitrovicë dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët.
Nënkryetari Haziri tha se, “Si pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit në veri, kemi një situatë kaotike, që është duke sfiduar si institucionet vendore gjithashtu edhe ato ndërkombëtare”.
Ai shtoi se komuna dhe institucionet e Kosovës kanë një qasje gjithpërshirëse për të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, mirëpo ndikimi dhe roli i madh i Serbisë tek qytetarët serbë të veriut është duke penguar normalizimin e situatës. Për këtë ai përmendi edhe situatën e re pas vendosjes së barrikadave në rrugët magjistrale të veriut nga udhëheqësit ilegalë të komunave të veriut.
Mysafirët britanikë, të cilët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, u interesuan edhe për raportet e komunës me KFOR-in si dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë. Lidhur me këtë, nënkryetari Haziri, tha se raportet e Komunës me KFOR-in janë të shkëlqyera. “Ka një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet ndërkombëtare e sidomos me KFOR-in”.
Deputetët britanikë pas takimit në komunë vizituan urën e Ibrit, panë së afërmi barrikadën e vendosur nga serbët në këtë urë.
a.y/NOA