Tiranë, 19 nëntor 2011, NOA- Shqipëria si presidente e radhës e PABSEC-ut, mbledh në Tiranë sesionin e 38-të të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Ditën e hënë mblidhen në Tiranë, rreth 100 parlamentarë të vendeve anëtare të PABSEC-ut dhe mbi 300 biznesmenë të vendeve anëtare të BSEC-ut, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Asambleja e Përgjithshme do të kryesohet nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidente e radhës së PABSEC-ut.
Asambleja e Përgjithshme do të zhvillojë punimet e saj tre-ditore në Tiranë, nga data 21-23 nëntor 2011. Sesioni i 38-të plenar do të ketë në fokus si tema kryesore: “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të BSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e Presidentes së radhës së PABSEC, ditën e hënë në ora 10.00 do të përshëndesë ceremoninë e “Forumit-2 të Biznesit të Detit të Zi” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Parlamenteve të PABSEC.
Po të hënën kryeparlamentarja Topalli organizon një pritje zyrtare në “Pallatin e Brigadave” për biznesmenët dhe delegacionet e PABSEC-ut.
Pa Shqipërisë, në mbyllje të punimeve Kryeparlamentarja Topalli presidencën e radhës së PABSEC-ut do ia dorëzojë Asamblesë Kombëtare të Republikës së Armenisë.
PABSEC është Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është themeluar më 26 shkurt 1993, si një dimension parlamentar i BSEC-ut, Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
PABSEC është një forum efektiv për dialogun ndër-parlamentar në rajonin e Detit të Zi.
Objektivi kryesor i PABSEC është të ofrojë ndihmë për parlamentet kombëtare në miratimin e ligjeve për të vendosur themelet legjislative të suksesshme shumëpalëshe, politike, ekonomike dhe të bashkëpunimit kulturor në rajon.
a.y/NOA