Bruksel, 19 nëntor, 2011, NOA - Eurodeputetja gjermane, Doris Pak ka theksuar se në Maqedoni po rritet nacionalizmi dhe se zhvillimet e fundit janë të rrezikshme për vendin.
Ajo këtë e deklaroi në kuadër të një debati midis anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Pak ka nënvizuar se nuk beson se Maqedonia në dhjetor do të marrë datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE),sidomos pas ndryshimeve të fundit në Greqi.
"Nuk besoj dhe kjo është ndjenjë e imja, dhe se sipas asaj që kam dëgjuar vështirë do të jetë. Ne nuk posedojmë mjete për ti imponuar një vendi që të bëjë diçka", ka deklaruar eurodeputetja gjermane.
Sipas saj, prolongimi i datës së fillimit të negociatave, do të shkaktojë më tepër nacionalizëm dhe kjo ndikon me probleme edhe në vendet fqinje. "Një situatë e tillë është e rrezikshme, pasi Maqedonia vërtetë ishte në rrugë të mirë pas Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tani ka shumë sinjale për rritjen e nacionalizmit", ka theksuar Pak.
a.k/NOA