English

Rama: Asambleja e shkuar nuk ishte në lartësinë e detyrës

Tiranë, 19 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryesocialisti Edi Rama dhe Sekretari i Organizimit Blendi Klosi, mblodhën mesditën e sotme për rreth dy orë anëtarët e sapozgjedhur të Asamblesë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit.

një qëndrim zyrtar të kësaj partie thuhet se kryesocialisti Rama i uroi të pranishmit për zgjedhjen dhe u bëri një panoramë të situatës politike e ekonomike të vendit duke u kërkuar angazhim të plotë.

Ai tha se Asambleja e shkuar nuk ishte gjithnjë në lartësinë e detyrës dhe veçanërisht mbulimi i territorit që është një nga funksionet kryesore të asamblesë si forum drejtues i partisë la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, duke e lënë tërë barrën mbi deputetët.

Siç informon agjencia e lajmeve Noa.al, Rama kërkoi angazhim të çdo anëtari e anëtareje të Asamblesë Kombëtare në debatin e brendshëm të forumit dhe në debatin publik, në qendër e në lokalitetet e vendit.

Sakaq ai i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij programit të ri dhe aksionit të parë të madh politik të Asamblesë së re Kombëtare për diskutimin e gjerë publik të programit në çdo zonë e njësi të banuar të Shqipërisë. Më pas e morën fjalën shumë anëtarë, të rizgjedhur apo zgjedhur rishtaz në asamble, të cilët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar një forum me frymëmarrje të gjerë, angazhim të plotë dhe solidaritet e kohezion të lartë.

Takimi me anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste u zhvillua pa praninë e mediave, ndërkohë që një ditë më parë, Rama u ka dërguar një letër gjithë anëtarëve të Asamblesë, ku u kërkonte që të kontribuonin për fitoren e selisë rozë.

Në përfundim të mbledhjes kryesocialisti kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur në Asamblesë Kombëtare t'i dërgojnë drejtpërdrejtë propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë, e cila do të zgjidhet në dhjetor.

a.y/NOA

KOMENTE