Është krijuar terren i frytshëm për rezistencë dhe obstruksion të forcave antireformiste, të cilat e kanë ndier veten të rrezikuar nga proceset reformuese
Nga Besnik Bislimi
Pas vitit 1999, për arsye të shumta, sistemi shëndetësorë në Kosovë pandërprerë është gjuajtur nga një model organizimi në tjetrin, pa i lënë bartësve të procesit kohë të mjaftueshme për përshtatje në modelin e ri. Në të njëjtën kohë është krijuar terren i frytshëm për rezistencë dhe obstruksion të forcave antireformiste, të cilat e kanë ndier veten të rrezikuar nga proceset reformuese. Poashtu kaosi i përgjegjësisë dhe anashkalimi i procesit të krijimit të kapaciteteve menaxhuese ka lënë hapësirë të bollshme për keqmenaxhim të resurseve të alokuara në mjekësi, kurse një pjese të personelit mjekësor i është lënë mundësia për ekstraktim të pagesave informale nga klientët apo për rikanalizim të kërkesës për shërbime drejt klinikave të tyre private.
Këto zhvillime që kanë qenë rregull deri në ditët e sotme në sektorin e shëndetësisë hedhin në pah një fakt aspak të këndshëm. Qasja e qeverisë kosovare ndaj këtij sektori ka lënë të kuptohet se shëndetësia nuk shihet si prioritet i aktiviteteve të qeverisë. Ndarja e fondeve është bërë jo në bazë të ndonjë vlerësimi të kostos së politikave që do të mundësonin arritjen e ndonjë synimi, por kryekëput si proces i garimit me ministritë tjera. Nga ana tjetër ofruesit e shërbimeve mjekësore argumentimin e kushteve të mjerueshme të punës dhe mungesën e vazhdueshme të barërave i kanë përdorur si instrumentet e vetme në përpjekjet e tyre për imponim të rishikimit të alokimeve buxhetore. Poashtu ka munguar edhe një strategji e mirëfilltë gjatë fazës së alokimit të resurseve të ndara sektorit shëndetësor nëpër funksione të ndryshme si paga, barëra, mirëmbajtje e të ngjashme. Krejt kjo ka ndikuar që sektori i shëndetësisë shpesh të mbush ballinat e mediave të shkruara dhe vizuale për raste të keqpërdorimit, korrupsionit, grevave, protestave e të ngjashme.
Në një situatë të tillë, vendosmëria e ministrit aktual të shëndetësisë që më në fund të vendoset rendi në këtë sektor dhe që të arrihet një stabilitet afatgjatë në financimin e shërbimeve mjekësore është shumë inkurajuese dhe meriton si respektin ashtu edhe ndihmesën e secilit prej nesh. Është krijuar një momentum që besoj se duhet të shfrytëzohet para se forcat antireformuese të konsolidohen dhe pengojnë betonimin e reformave edhe përmes akteve ligjore dhe nënligjore. Përgatitja e ligjit të ri për shërbimet shëndetësore dhe ligjit të ri për sigurimet shëndetësore është padyshim një hap shumë i guximshëm dhe shpresëdhënës.
Ajo që është me rëndësi të ceket këtu është se po flitet për kalim nga një sistem i financimit në një sistem tjetër dhe se është fjala për një reformë të vështirë por edhe të domosdoshme. Marrë parasysh impaktin e një reforme të tillë, dhe pa dyshuar asnjë moment në vullnetin e ministrisë së shëndetësisë që më në fund të avancohet dhe përmirësohet ndjeshëm situata në shëndetësi, mendoj se është shumë më rëndësi që të sigurojmë që tranzicioni të kalojë me sa më pak rezistencë dhe sa më pak gabime. Meqë aprovimi i dy projektligjeve të sponsorizuara nga Ministri i shëndetësisë e prek secilin prej nesh pa dallim etnie, profesioni, regjioni, apo përkatësie politike, mendoj se është shumë me rëndësi që të sigurohet edhe një përfshirje sa më e gjerë shoqërore në debatin rreth këtyre dy projektligjeve dhe koncepteve të përgjithshme për mënyrën se si duam të dizajnojmë sektorin e shëndetësisë dhe financimin e tij në të ardhmen.
Një debat i tillë gjithëpërfshirës është shumë i rëndësishëm për siguruar rritjen e akceptancës së qytetarëve ndaj sistemit të ri të financimit. Shanset për rritje të akceptancës varen pastaj nga aftësia e qeverisë që të bind qytetarët se do tu ofrohen të gjitha shërbimet e përfshira në pako, të binden kontribuuesit se pas futjes në skemë nuk do të detyrohen të ofrojnë pagesa informale gjatë shfrytëzimit të shërbimeve mjekësore, t’u sqarohet qytetarëve se megjithë kontributet e paguara ata prapë duhet të mbulojnë një pjesë të kostos së shërbimeve në formë të bashkëpagesave, të binden ofruesit e shërbimeve që të bashkëpunojnë me sistemin e ri dhe të mos minojnë atë në rast se frikohen mbi efektet që sistemi i ri mund të ketë në të ardhurat e tyre, të binden të dyja palët se fondi do të ketë resurse të mjaftueshme humane për të garantuar një menaxhim të suksesshëm të resurseve, se qeveria nuk do të lejojë keqmenaxhim dhe korrupsion në radhët e menaxhmentit të fondit dhe ofruesve të shërbimeve, etj. Shihet pra se në fazën fillestare nevojitet një përkushtim serioz dhe një rol udhëheqës jo vetëm i ministrisë së shëndetësisë por i gjithë spektrit politik të vendit.
Rritja e akceptancës nga ana e qytetarëve është me rëndësi edhe për faktin se në fillim të implementimit të mënyrës së re të organizimit mund të haset në rezistencë nga ofruesit e shërbimeve mjekësore. Mjekët që kanë praktikuar marrjen e pagesave informale mund të rezistojnë trajtimin e të siguruarve të cilët tani nuk preferojnë ofrimin e ryshfeteve. Këto zhvillime mund të rrisin armiqësinë e qytetarëve ndaj sistemit dhe rezistencën e tyre ndaj bashkëngjitjes në skemë.
`Deri më tani janë trajtuar dy metoda të sigurmit të financimit të mjaftueshëm për shpenzimet e sektorit të shëndetësisë. Alternativa e parë sugjeron financim si përqindje e tatimeve apo akcizave të caktuara nga buxheti i vendit si p.sh. Alkimi i një përqindje të të hyrave nga TVSH, akciza për duhan apo alkool e të ngjashme në fondin e sigurimeve shëndetësore. Me këtë destinim të tatimeve qeveria në fakt synon të arrijë dy qëllime. Së pari të izolojë ministrinë e shëndetësisë nga garimi me ministritë tjera, dhe së dyti përmes penalizimit të konsumit të disa mallrave demeritore (duhani, alkoholi, ëmbëlsirat) të përmirësojë statusin shëndetësor të qytetarëve e me këtë edhe shpenzimet e përgjithshme për shëndetësi. Çmimi që sipas bindjes sonë paguhet me këtë rast është rritja e pastabilitetit të resurseve që shkojnë në shëndetësi, meqë niveli i të hyrave varet drejtpërdrejtë nga oscilimet në ofertën dhe kërkesën për mallrat e specifikuara (apo edhe nga ndryshimet eventuale në elasticitetin e kërkesës për ato mallra). Një ambient i tillë vështirëson dukshëm planifikimin afatmesëm të ofruesve të shërbimeve mjekësore.
Alternativa tjetër konsiston në ngritjen e kontributeve për sigurime shëndetësore të cilat do të grumbulloheshin nga të punësuarit, vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe sipas mundësisë edhe fermerët. Ndërsa për kategoritë e papërfshira mbulimi i shpenzimeve do të arrihej përmes transferim të parave drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Kjo metodë ka shumë avantazhe, por ka edhe të tillë që mendojnë se ky financim përcillet edhe me vështirësi dhe me efkete negative për ekonominë. Brenga kryesore ka të bëjë me efektin që një tatim i ri në paga mund të ketë në ofertën dhe kërkesën për punë, e bashkë me këtë në nivelin e punësimit dhe të ardhurës kombëtare në tërësi. Për një makroekonomist që njeh rrethanat aktuale në Kosovë është relativisht e lehtë të bind se kjo frikë është e paarsyeshme.