Shkup, Maqedoni, 19 nëntor 2011, NOA – Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka vijuar dje turin e tij të takimeve nëpër qendrat shqiptare në Maqedoni. Në fjalimet e tij, një vëmendje të veçantë i ka kushtuar qytetit të Manastirit dhe shqiptarëve atje.
“Ne do të jemi në Manastiri, Manastirin e Alfabetit, e të harruar që nuk është vizituar nga asnjë zyrtar shqiptar. Këtë rrugë do ta ndjekim përmes Strugës, Gostivarit, Tetovës, Ohrit, sepse, fëmijët tanë kanë vizituar qendrat e shumta europiane si Parisin, Londrën etj, por nuk kanë vizituar Strugën, Manastirin etj dhe fare nuk e njohin këtë gjeografi shqiptare”, ka theksuar Spahiu.
Ai këtë mesazh e ka drejtuar pasi shoqatat shqiptare në Manastir si "Kongresi i Bashkimit" reaguan se përse kryeministri shqiptar Sali Berisha në vizitën e fundit nuk ka vizituar edhe Manastirin. "Kur Gruevski shkon në fshatrat dhe cepet e ndryshme të Shqipërisë ku ka edhe dy maqedonas apo të rrejshëm, pse kryeministri Berisha nuk udhëtoi për në Manastir, për të nderuar këtë simbol të historisë kombëtare dhe jo në Tetovë, kur dihet se atje kemi në realitet plotësisht shqiptar dhe nuk ka ndonjë rrezik", theksuan nga shoqata "Kongresi i Bashkimit".
Spahiu i Aleancës Kuq e Zi ka kritikuar politikën shqiptare për papërgjegjësi dhe mosunitet, ku sipas tij, në këtë mënyrë po dëmtohen interesat dhe gjendja e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.
"Jemi komb që akoma nuk e dimë sa jemi, akoma nuk kemi inventar të hapësirës, të pasurive tona tokësore. Me abetaren po bëhen biznese. Regjistrimi i popullsisë, do të dëmtojë rëndë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, sepse shqiptarët janë popull me migracion më të lartë, duke mos llogaritur ata që më herët janë shpërngulur në Turqi. Mijëra shqiptar kanë marrë shtetësi greke, ndërsa për të shkuar në Bruksel, shumë shqiptar nga Kosova kanë marrë pasaporta të Serbisë. Në Shqipëri, pasaportë shqiptare marrin gjithkush, por më së paku shqiptarët nga Kosova, Maqedonia apo viset tjera ku jetojnë”, ka theksuar Spahiu, i cili po vijon vizitën e tij në Maqedoni.
NOA/INA