Kakavijë, (Gjirokastër) 20 nëntor 2011, NOA – Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një person dhe ka sekuestruar 10 kilogramë lëndë narkotike në autobusin e linjës Sarandë-Athinë. Personi i arrestuar mbrëmjen e djeshme është Pëllumb Danaj, 50 vjeç banues në Delvinë, i cili është dhe shofer i autobusit që transportonte lëndën narkotike.
Droga ishte vendosur në linjën Sarandë - Athinë, të firmës “Saranda Ekspres”, dhe ndodhej në një pako kartoni të madhe. Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për kalimin e drogës dhe gjatë gjithë mbrëmjes ka ushtruar kontrolle të rrepta në të gjithë autobusët e linjave ndërkombëtare Sarandë-Athinë.
Autobusi në të cilin dyshohej për drogën ka mbrritur rreth orës 23.30 në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë.
Nga kontrolli i ushtruar në bagazhin e autobusit me targë Sr 65 73 B, që drejtohej nga Pëllumb Danaj, ka mbetur një kuti e madhe kartoni në formë katrore e mbështjellë me letër natriban ngjyrë të bardhë. Në brendësi të pakos saj futur ne mes të disa tabakëve gipso, ndodhje një pako tjetër kartoni në formë katrore e mbështjellë me letër natriban ku brenda saj kishte lëndë narkotike mariuanë në formën e boçes.
Drejtuesi i autobusit në momentet e para pa u hapur kutia ka deklaruar para punonjësve të Policisë Kufitare që kryenin kontrollin se në këtë pako kartoni ka paisje elektrike dhe do ta çonte në Athinë, pasi ja kishte dhënë një shtetas nga Saranda dhe do ta priste pakon në Athinë, djali i shtetasit që i kishte dhënë pakon.
Ai ka kundërshtuar punonjësit e policisë kufitare duke kërkuar që pakoja të mos hapej dhe të grisej letra natriban që ishte mbështjellë, sepse dëmtoheshin pasjet elektrike, por punonjësit e Policisë Kufitare e kanë hapur ku dhe kanë konstatuar lëndën narkotike.
Nga kontrolli ka rezultuar se brenda në pako ndodheshin 10 kilogramë mariuanë. Policia ka bërë shoqërimi e autobusit së bashku me 25 pasagjerët për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Pas hetimeve të para, policia arriti në përfundimin se drejtuesi i mjetit, Pëllumb Danaj, është pjesë e këtij trafiku të lëndës narkotike dhe u bë arrestimi në flagrancë. Njëkohësisht është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasit nga Saranda që i ka dhënë kutinë me lëndë narkotike shoferit të autobuzit, ku për arsye hetimi, policia nuk i ka bërë me dije gjeneralitetet e tij.
Policia e Gjirokastrës njofton se po punohet me policinë greke në Athinë për kapjen e shtetasit tjetër që do priste lëndën narkotike në Athinë.
Pas arrestimit të shoferit, firma “Saranda Ekspre”, ka dërguar një shofer tjetër për autobusin dhe rreth orës 01.30 të mëngjesit autobusi së bashku me pasagjerët është lënë i lirë të vazhdoj rrugën për në Athinë.
a.k/NOA
Në Foto: Autobusi i linjës Sarandë-Athinë dhe kutia në të cilën ndodhej dorga.