English

Edi Rama në “Kurban”: Ilir Meta, miku dhe armiku im

Në këto pjesë të shkëputura nga libri “Kurban”, Edi Rama ndalet në marrëdhëniet e tij me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-kryeministrin Ilir Meta. Z. Rama ndalet sidomos në kalimin e z.Meta tek koalicioni i djathtë qeverisës.

Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për t’u mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë”, thotë z.Rama në librin e tij.

Ndiqni për më shumë, pjesën e plotë në libër, ku z.Rama flet për z.Meta:

Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse, ra mbi Bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 ore pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky s’është vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ngjarjeve përcaktuese në rrugëtimin e Partisë Socialiste, megjithatë besoj se do të me gjykoje keq nëse ketë moment do ta kaloja pa një shpjegim pak me te gjatë se ç’kam bërë hera-herës kur rrëfimi im ka cekur jetën politike për të dhënë kontekstin e gjërave të ndodhura me bashkinë për shkaqe kryekëput politike.

E vërteta e atij largimi, të paktën në këndvështrimin tim, është krejt e ndryshme nga ajo që ka fituar qytetarinë sot optikën e opinionit, sidomos të zëdhënësve të publikut, kur bëhet fjalë për shkaqet e rindarjes së Ilirit me Partinë Socialiste për t’u rifutur në rrugën vetmitare të LSI-së. Ose, e thënë ndryshe, nuk është aspak e vërtetë që unë desha të imponoj pa kushte sistemin e ri zgjedhor, modelin spanjoll, i cili pastaj u kthye në nen kushtetues, sepse paskam pasur qëllim asgjësimin e LSI-së. E kundërta është e vërtetë, synimi im ishte krijimi i një boshti solid PS-LSI përmes atij sistemi dhe të gjitha shifrat e derisotme, të dy palë zgjedhjeve me sistemin e ri, madje edhe për aq sa ato janë të vërteta në kushtet kur në rang kombëtar ka pasur manipulime të mëdha të votës për subjektet politike opozitare edhe në 2009-ën edhe në 2011-ën, tregojnë se me këtë sistem, pavarësisht manipulimeve, edhe koalicioni ynë do të ishte fitues, edhe LSI do të kishte më shumë se katër deputetët që mundi të fuste në Kuvend dy vjet më parë, ndër të cilët mandati i vetë Ilir Metës në Tiranë u sajua me një marifet, për të cilin ka dëshmitarë e nuk u fitua me vota, po iu rrëmbye PS-së në dekikat e fundit. Nënvizoj këtu se, ndryshe nga ç’thashethemohet, unë s’kam asnjë gisht në atë marifet, e kam marrë vesh më vonë, por spekulimi ka lindur nga fakti që kam urdhëruar me mesazh të gjithë kujdestarët elektoralë të partisë sonë të ruajnë, pavarësisht armiqësisë politike, çdo votë të LSI-së, e cila s’kishte anëtarë në komisione dhe rrezikonte të goditej nga vjedhje që kurrë, asnjëherë e për asnjë arsye, Partia Socialiste në qendër s’ka stimuluar e s’do t’i stimulojë ndonjëherë sa të jem unë në krye, në kurriz të askujt. As të kundërshtarit.

Jo vetëm aq sa thashë, po jam i bindur se në sajë të sistemit të ri, as PS-ja s’do të kishte e vetme shumicën e 71 votave që acaronin paranojën e Ilirit, duke e bërë të frikej se mund të defaktorizohej për shkak të humbjes së çdo ndikimi mbi qeverisjen, as LSI-ja nuk do ta humbte çelësin e kontrollit të shumicës, pa të cilin Ilir Meta s’e kupton dot ekzistencën e tij në krye të asaj partie të vogël dhe as boshti PS-LSI nuk do të rrezikohej dot nga ansambli folklorik i koalicionit të Saliut, të paktën sa kohë që Saliu të ishte në krye të Partisë Demokratike. Deri këtu jemi te faktet, jo tek opinionet dhe të gjitha faktet thonë se është kështu, kush thotë s’është kështu, s’ka fakte po vetëm opinione pa bazë logjike e faktike.

Çfarë ndodhi atëherë?

Duke e njohur mirë Ilir Metën, paqëndrueshmërinë e tij, paranojën se çdo njeri që ka pranë kërkon t’ia hedhë dhe delirin e lindur bashkë me LSI-në për të futur një sferë të madhe në një sferë të vogël, që i ngrinte krye sa herë ngacmohej prej të qenit në paqe e sidomos prej komplimenteve pa karar a thashethemeve me zarar që i bënte shpura e pandarë e servilëve të tij, injorantë deri në dhimbje e dallkaukë deri në bezdi, me të cilët është rrethuar tradicionalisht për t’u mbrojtur nga ata pak bashkëpunëtorë me mend që ka pasur afër, e ftova për bisedën që bëmë. Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll ose, siç u pagëzua qysh në fillim, sistemi i Kaçit, që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak ti reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, posaçërisht atë opozitar, si “nëna e gjithë intrigave” në familjen socialiste. Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Meta e Islamit, kur njëri dëgjonte emrin e tjetrit, s’ishte aspak e zorshme të hamendësoje se terreni psikologjik për reformën ishte i minuar nga mosbesimi total pa nisur ende puna e përbashkët që duhej të bënim për të. Qëllimi im ishte pikërisht çminimi i atij terreni, duke i folur hapur Ilirit dhe duke i kërkuar që ti mos lejonim të na ngatërrohej me llafe rrugësh e kafenesh at proces që ishte natyrshëm boll i ngatërruar, ndërkohë që pa asnjë dyshim, jo vetëm që s’dëshiroja tkurrjen e LSI-së, po përkundrazi besoja me bindje të plotë se modeli spanjoll zgjidhte shkëlqyeshëm qoftë ekuacionin e fitores të zgjedhjeve, qoftë problemin e bashkëjetesës së vështirë mes dy partive tona.

“Reforma zgjedhore”, i thashë pakashumë, “është një proces tejet delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me vetë klasën politike, prek interesa, ngjall orekse, krijon shtigje shumë të shpeshta për dyshime, keqinterpretime, keqkuptime. Unë s’kam asnjë arsye në botë ta fus reformën në një rrugë që na ndan. Modeli spanjoll me duket absolutisht më i përshtatshmi, të paktën nga sa unë kam lexuar mes modelesh të ndryshme, qoftë për PS-në, qoftë për LSI-në. Por nëse ty kjo nuk të rezulton kështu, jam plotësisht i gatshëm të vendosim ndryshe. E vetmja gjë që të kërkoj është që konkluzionet t’i nxjerrim jo me hamendje, as me dyshime reciproke, as me llafe që ikin e vijnë vesh më vesh dhe ty të ndikojnë për keq. Mblidh njerëzit e t’u të besuar, ata që marrin vesh nga kjo ponë, jepu detyrën të bëjnë analizat përkatëse dhe më thuaj. Nëse do të flasësh edhe me Kastriotin, e ke në dispozicion për të gjitha sqarimet tona.”

Duhet një penë që unë s’e kam për ta vizatuar me fjalë portretin e Ilir Metës kur është i gjithi i pushtuar prej sëkëlldisë së dyshimit e të frikës që i shkon në kockë dhe ia paralizon lidhjet mes trurit, figurës e zërit, fytyra i buzëqesh ndërsa sytë i lëvizte ngado për të mos ndaluar mbi fytyrën e të dyshuarit në karrigen përballë, njërën dorë, atë pa celular, e ve në mes duke kapur rripin e pantallonave. Fjalitë që thotë janë të rralla, tek-tuk edhe pa asnjë lidhje me bisedën, një mërmërimë në formë “ë”- je të zvargur i del hera-herës sikur njëkohësisht ndjek bashkëfolësin e i thotë vetes, po të dëgjoj po s’të flas dot tani, çohet për ndonjë telefonatë po pa lidhje, ulet prapë, derisa në fund, pasi dëgjon e dëgjon, plas papritmas në vaj të qeshur buçitëse me kokën e shtriqur pas e supet që tunden nga gazmendi, pastaj dëgjon edhe njëherë të njëjtën gjë nga ana e bashkëbiseduesit të sëkëlldisur po ashtu ngaqë s’i vjen asnjë valë tjetër veç dyshimit të përçuar nga çdo pore e Ilirit dhe çohet duke thënë gjithnjë një frazë që lidhet me një “mirë do flasim”.

Pikërisht kështu e mbylli edhe atë bisedë duke thënë. “Mirë, flori, kuptova, do ta shoh e do flasim!” “Një gjë unë them që sot me bindje”, i thashë duke u ngritur në përpjekjen finale, të kotë, që të ngulja gozhdën e shtrembëruar nga goditjet e përsëritura të arsyetimit në veshët e bukosur të Ilirit, ku e ndieja që zëri im hynte vetëm zhurmë turbulluese: “Me sistemin spanjoll jemi qetësisht fitimtarë, të pakën derisa Saliu të jetë në politikë. Nëse ti s’e krijon këtë bindje, gjejmë një zgjidhje tjetër, s’ka asnjë problem.” Por, fatkeqësisht për shumicën e këtij populli, problemi kishte lindur dhe zgjidhja tjetër kishte vdekur para se ta kërkonim, lavjerrësit në kokën e Ilir Metës i kishte ardhur ora për të lëvizur djathtas, ndërsa Ilirit dita për të bërë sikur po lëvizte më majtas, që të shpëtonte të majtën, socialistët e vërtetë, vetë Shqipërinë nga një pazar i madh, që në fakt s’ishte gjë tjetër veçse shprehja e frikës së tij imagjinare se mund të mbetej vetë jashtë pazarit.

Dy ditë më vonë e pashë në televizion të deklaronte fillimin e aventurës që, përveç të tjerave, e ktheu në dy vjet makth për kryeqytetin e Shqipërisë Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili, falë flirtit të Saliut me Ilirin deri në qershorin e vitit 2009 dhe martesës së të dyve në korrik të po atij viti, mbeti dy herë rresht pa buxhet të miratuar, u bllokuan të gjitha investimet nga taksat e qytetarëve, ngrinë projekte të rëndësisë së gjithanshme për Tiranën, për çerdhe, kopshte, shkolla, qendra komunitare, rrugë, parqe, linja të reja autobusësh, shpërndarje banesash sociale, gjithçka që ishte gati për t’u bërë realitet. Rrethimi primitiv katërvjeçar i Saliut hyri kështu në fazën e një barbarie të pandodhur kurrë ndonjëherë në një qytet europian dhe këdo që kam pyetur ndër kryetarë bashkish nga Amerika Latine, Afrika, Azia, kanë ngritur supet të çuditur për mundësinë e një paudhësie të tillë, sepse ndryshe nga Shqipëria, ku opinionistë që janë rreshtuar shqytarë në listën e pagave të qeverisë, të quajtur për zakon analistë të pavarur, këtë e komentonin si një nyje që duhej këputur duke larguar kryetarin e opozitës nga bashkia, jo kryeministrin barbar nga qeveria, bashkëbiseduesit e mi të rastit më thoshin se në vendet e tyre qeveria do të humbiste karriget po të guxonte t’ia bënte një qyteti çfarëdo, jo më kryeqytetit të vendit, një karshillëk kaq të dëmshëm”.

KOMENTE