Prishtinë, 19 nëntor 2011, NOA – Diplomati francez në Kosovë, Jean Fransois Fitou deklaroi se Franca mbështet pavarësinë e Kosovës, planin e Ahtisaarit dhe dialogun teknik Prishtinë-Beograd.
Këtë deklaratë ambasadori Fitou e dha gjatë një debati të organizuar në qendrën e mediave në Çagllavicë.
Fitou theksoi se dialogu nuk është shfaqje, por një proces serioz dhe më se i rëndësishëm, ndërkohë që apeloi që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel, raporton TV21.
Ambasadori francez inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin të vazhdojnë dialogun në Bruksel dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.
“Dialogu nuk është shfaqje për opinion, është diçka serioze. Bashkimi Evropian e ka kërkuar këtë. Dialogu është i mirë për arsye, që Beogradi dhe Prishtina të bisedojnë mes vete dhe të sjellin rezultate. Këto rezultate do të jenë frustruese dhe do të vijnë ngadalë. Dialogu do t’i sjellë Kosovës dhe Serbisë një kredibilitet në rrugën drejt BE-se. Dialogu nuk është një vitrinë apo shou, por çështje e duhur për zgjidhjen e vështirësive. Zbatimi i marrëveshjeve mundëson lirinë e lëvizjes dhe jetë më të mirë. Mënyra për të kaluar këtë fazë është bashkëpunimi dhe fryma, që shtetet e Ballkanit Perëndimor të respektojnë njëri- tjetrin. Shteti im mbështet pavarësinë, planit Ahtisaari dhe dialogun”, u shpreh diplomati i Francës në Prishtinë.
Ambasadori francez Fitou duke folur për planin Ahtisaari si një zgjidhje për situatën në veri të Kosovës, tha se menaxhimi i integruar i kufirit është e ndërlikuar nga pikëpamja teknike.
Por, në këtë suazë, ai tha se nëse Prishtina dhe Beogradi kanë gjetur mënyra për të menaxhuar pikat 1 dhe 31, atëherë do të thotë se kanë gjetur mënyra të zgjidhjes së problemeve.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç, tha se zgjidhjen e problemeve nuk mund ta presim brenda natës apo javës, duke kërkuar që marrëveshjet e arritura të zbatohen.
“Dua falënderoj të gjithë ata, që po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e problemeve. Dialogu është më se i rëndësishëm. Vitet e fundit kemi mbi krye një situatë me sfida të mëdha. Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen sa më parë. Nuk është reale, që të presim që të zgjidhen problemet brenda natës apo javës. Këto janë probleme të grumbulluara me vite. Dialogu është interes i të gjithëve, është një proces, që ka peshë, dhe vazhdimi i tij do të ketë konfirmime të reja për të arritur deri te zgjidhjet e reja. Nuk është zgjidhje të mbyllen rrugët me barrikada. Çdo zgjidhje, që mundëson qarkullimin e njerëzve është e mirëpritur dhe e domosdoshme”, nënvizoi zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç.
Deputeti i Partisë Socialiste serbe dhe nënkryetari i Këshillit për Kosovën, Dejan Radenkoviç, tha se dialogu është zgjidhja e vetme për të tejkaluar problemet.
mit/NOA