Tiranë, 20 nëntor 2011, NOA - Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka nisur një tur vizitash zyrtare në Japoni, në Republikën e Koresë dhe në Vietnam, nga data 20 deri më 25 nëntor 2011.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, kjo vizitë do t’i shërbejë promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, duke inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, vendosjen e kontakteve me institucionet akademike midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni.
Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse.
Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qënë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mbështetjen e mëtejshme të saj nga këto vende, për pjesëmarrjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, duke e inkurajuar më tej atë në rrugën e nisur të reformave integruese. Ndërsa pala vietnameze, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, gjatë vizitës së Ministrit Haxhinasto do të njihet me kontributin konkret që Kosova jep me institucionet e veta legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.
a.q/NOA