English

Heqja e taksave për bizneset, BE: Nismë e guximshme

Bruksel, 20 nëntor 2011, NOA - Propozimi i fundit i Bashkisë së Tiranës për të hequr taksat lokale për 4 vjet për ndërmarrje të vogla dhe të mesme me më shumë se 50 punëtorë, shihet nga Brukseli si shumë i guximshëm dhe frytdhënës. Në një intervistë për televizionin ABC news, komisioneri për Industrinë dhe Ndërmarrjet, Antonio Tajani, thotë se BE do të vihet në dispozicion të kësaj nisme, që të lehtësojë veprimtarinë e bizneseve të vogla dhe të mesme sa herë që ata duan të futen në një treg të ri jashtë BE-së.

Bashkimi Europian është duke vënë gjithçka në lëvizje për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që në një kohë krize të mprehtë, konsiderohen si pika nevralgjike e rritjes ekonomike në Europë. BE-ja kërkon së pari të heqë pengesat me të cilat përballen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ti ndihmojë ato që të hyjnë në tregjet e jashtme: “Konsiderojmë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë një instrument thelbësor për rritjen ekonomike dhe përballimin e këtij momenti shumë delikat të krizës. Ja pse ne kemi vendosur të ndërhyjmë me një strategji që synon dyfishimin e numrit të biznesit të vogël dhe të mesëm që operojnë jashtë BE-së. Ne po dialogojmë dhe negociojmë për reduktimin e pengesave jo tarifore për këtë biznes dhe për të forcuar të gjitha instrumentet dhe standardet që mund të rrisin klimën e besimit te ky biznes", shprehet ai.

Sipas komisionarit, në kontekstin BE-Shqipëri, propozimi i fundit i bashkisë së Tiranës për të hequr taksat lokale për 4 vjet për ndërmarrjeve e vogla dhe të mesme me më shumë se 50 punëtorë shihet nga Brukseli si shumë i guximshëm dhe frytdhënës, pasi në nivelin europian, jo vetëm që asnjë qeveri lokale nuk do ta guxonte një gjë të tillë në një kohë krize, përkundrazi në një kontekst krize taksat shtohen, por edhe sepse ajo i përgjigjet objektivave të stimulimit të biznesit të vogël dhe të mesëm., nxitjes së punësimit dhe shton konkurrencën e shëndoshë të këtij biznesi, që kontribuon në nivelin e 80% në prodhimin kombëtar bruto. Në nivelin europian, BE-ja kërkon që t’i japë zë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme europiane që duan të tregtojnë jashtë territorit të Bashkimit Europian.

"Në çdo delegacion të BE-së në shtetet e huaja do të ketë desk që do të mbrojë interesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. BE-ja vihet kështu në dispozicion të këtij biznesi, që të lehtësojë veprimtarinë e tyre sa herë që ato duan të futen në një treg të ri jashtë BE-së”, deklaroi Tajani.

a.q/NOA/ABC NEWS

KOMENTE