English

Idetë, Kurbani i politikanëve

"Pronat e agallarëve shqiptarë në fshatrat ku sot jeton minoriteti grek në Shqipëri. Në kohën e Zogut, disa nga këto fshatra kishin emra të tillë si Hadër Aga, Memush Bej, Kalive bej Pasha, Aliko, Çaush, Ymer Efendi, Hoxhë."

Nga Koço Danaj

Është e trishtueshme, por është e vërtetë. Në gjithë hapësirën e kombit shqiptar, mungojnë idetë e zhvillimit. Ato janë bërë KURBAN i politikanëve shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj. I interesave të tyre apo të atyre që ata i quajnë parti, e që në thelb janë grupe përkrahësish apo tifozësh. Prandaj kjo hapësirë sot të ngjan me një njeri që ecën, por nuk di nga ecën; shkon, por nuk di ku shkon. Ja disa shembuj: Pas një viti në Shqipëri do festohet 100-vjetori i pavarësisë, thuhet se do krijohet komision me pjesëmarrës nga gjithë hapësira e kombit shqiptar. Bukur. Po lindin disa pyetje: Pyetja e parë është: Përse do marrin pjesë politikanët dhe akademikët nga Kosova në këtë komision? Ata e kanë ditën e tyre të pavarësisë, që është 17 shkurti i vitit 2008. Përse do vijnë politikanët dhe akademikët shqiptarë nga Maqedonia? Ata pranojnë Maqedoninë si atdheun e tyre, e cila ka si datë pavarësie 9 shtatorin e vitit 1991.

Dhe pyetja e fundit: Po politikanët e Tiranës, përse do ta festojnë 28 Nëntorin? Kjo datë është data e pavarësisë së Shqipërisë Natyrale. Ndërsa data 29 korrik është data kur Konferenca e Londrës vendosi krijimin e shtetit shqiptar që është sot dhe aktualisht e drejtojnë Berisha, Topi dhe Topalli. Ja pra një ide e madhe që ka nevojë për diskutim. Nëqoftëse politikanët shqiptarë e kanë seriozisht festimin e 28 Nëntorit, ata duhet të shprehen hapur se nuk e njohin Mbledhjen e Londrës, nuk i njohin vendimet e saj. Por deri tani nuk ka një deklarim të tillë. Pati para tre vjetësh, një deklaratë nga Berisha ku e konsideroi Londrën një konferencë kolonialiste, por pastaj u tërhoq. Pati para 4 vjetësh një deklarim nga Rama në takim me Jakup Krasniqin, se nuk ka asgjë të keqe të bashkohen shqiptarët, por pastaj u tërhoq. Bëri Hashim Thaçi në prag të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, deklaroi se edhe ai është për bashkimin me Shqipërinë, por më vonë u tërhoq. Disa politikanë nga Vilajeti i Prishtinës apo i Shkupit pohojnë se kjo është Festë e Flamurit. Jo, është më shumë se gabim, është falsifikim i historisë. 28 Nëntori 1912 nuk është Festa e Flamurit, por shpallje pavarësie. Shqiptarët Festën e Flamurit e kanë në 28 Nëntor 1444, kur Skënderbeu ngriti Flamurin në Krujë. Grekët Festën e Flamurit e kanë më 25 Mars 1821, kur peshkopi Germanos ngriti Flamurin në Patra, por pavarësinë e shpallën më vonë.

Deri tani, kjo ide kaq e madhe është KURBAN i politikanëve shqiptarë.

Ja edhe një shembull tjetër nga Kongresi i fundit i Partisë Socialiste. Ata hodhën idenë e shndërrimit të ish-pronarëve në pronarë. Ide e bukur. Por…përsëri lindin disa pyetje që askush prej tyre nuk u ka dhënë përgjigje. Cilat janë ato? Pyetja e parë që del është. Pronat e agallarëve shqiptarë në fshatrat ku sot jeton minoriteti grek në Shqipëri. Në kohën e Zogut, disa nga këto fshatra kishin emra të tillë si Hadër Aga, Memush Bej, Kalive bej Pasha, Aliko, Çaush, Ymer Efendi, Hoxhë. Që do të thotë se minoritarët grekë ishin argatë dhe çifçinj dhe punonin në pronat e të tjerëve. Regjimi i Enver Hoxhës në emër të internacionalizmit proletar ua ndërroi emrat, si Dritas, Lefter Talo, Livadhja etj. Parlamenti Shqiptar i 1992 këto prona nuk ua dha pronarëve, por bëri pronarë argatët. Si do veprojë Partia Socialiste me këtë çështje? A do t’i kthejë ajo ish-pronarët shqiptarë të tokave të minoritetit në pronarë? Më thjesht, a do mundet Edi Rama dhe Gramoz Ruci, t’ia marrin tokën Vangjel Dules, Spiro Kserës, Vangjel Tavos, Kosta Brakës dhe t’ia kthejnë nipit apo mbesës së Hadër Agait, memush Beut etj. etj. Nuk ka përgjigje. Prandaj edhe kjo ide kaq e madhe deri tani është KURBAN i politikanëve.

Ja dhe një shembull tjetër: Në botën e qytetëruar, pranohet ekonomia e tregut, por nuk pranohet shoqëria e tregut, pasi politikanët e këtyre vendeve, megjithëse flasin për globalizëm, kultivojnë me fanatizëm identitetet e shoqërive të tyre. Tregu sa vjen e bëhet global, por shoqëritë sa vijnë dhe bëhen kombëtare. Kësisoj dallohet shoqëria franceze nga ajo gjermane, italiane etj. etj. Ndërsa në Shqipëri, deri më tani, i thuhet po ekonomisë së tregut, por mjerisht i thuhet PO edhe shoqërisë se tregut. Kushdo që vizitoi Panairin e Librit në Tiranë dhe pa qoftexhinjtë serbë në hyrje të tij, e kupton fare mirë se edhe idetë e konsolidimit të shoqërisë shqiptare janë KURBAN i politikanëve.

Ja edhe shembulli i fundit. Nuk ka shqiptar që të mos dëgjojë herë pas here politikanët e tij se me çfarë patosi flasin për partitë politike, për rolin e tyre si pasuri kombëtare etj. Ide e madhe. Por…, përsëri ajo është deri tani KURBAN i politikanëve. Pse? Në Shqipëri më shumë ka parti kryetarësh, parti grupesh interesi, parti mitingjesh, sesa parti politike. Ku e mbështet këtë që po them? Po shikoni sesi kalojnë deputetë nga një parti në tjetrën, shikoni më të fundmen dukuri sesi përmbysen drejtuesit e qarqeve. Epo ka tradhtarë, thotë dikush. Jo, nuk ka tradhtarë, por nuk ka parti, nuk ka ide partish që dallojnë njëra nga tjetra. Na i blenë, thotë dikush tjetër. Jo, janë thjesht interesa; kur e krijon partinë si grup interesi, do presësh edhe pasojat. Kur shitesh ti që je deputet apo politikan për një privilegj te një kompani apo një shtet, te një ambasador, ashtu do të bëjë edhe ai që është poshtë. Ja pra sesi edhe idetë mbi partinë politike janë akoma KURBAN i politikanëve.

Por shqiptarët si Komb kanë një aspiratë, integrimet ndërshqiptare, që do të thotë Shqipëri Natyrale dhe ato europiane, që do të thotë anëtar i BE-së. Por që ta realizojnë, duhet të prodhojnë ide dhe për më shumë të mos i lënë ato të bëhen Kurban i politikanëve.

*Kryetar i Listës për Shqipëri Natyrale.

KOMENTE