Tiranë, 19 Nëntor 2011 NOA/ Irma Toptani - Me këngën “Më lër të fle”, këngëtari i njohur shqiptar Redon Makashi, është shpallur fitues i Festivalit të përvitshëm “Kënga Magjike” që sapo ka përfunduar natën finale sonte në Pallatin e Kongreseve.
Redon Makashi fitoi duke pasur epërsi të lartë ndaj rivalëve të tij, gjithsej 48 këngëtarë dhe grupe që konkurruan në dy netët gjysmëfinale dhe sonte në finalen e madhe.
Fitorja erdhi pasi vetë këngëtarët ishin juria që zgjidhte përmes sistemit të pikëve nga 1 deri në 20, këngëtarin dhe këngën më të mirë të këtij festivali. Për herë të parë, votimet u bënë të hapura dhe secili këngëtar e shihte direkt votën e dhënë nga kolegët.
Pas shpalljes fitues, Redon Makashi u shpreh goxha i emocionuar: “Pas 22 vitesh karriere, është çmimi i parë fitues që marr. Emocionet janë të mëdha ndaj nuk mund të them më asnjë fjalë”, - tha Ë duke shtuar: “i përshëndes të gjithë artistët pjesëmarrës, edhe ata që nuk i kam votuar, përshëndes edhe këtë publik të mrekullueshëm”, - iu drejtua këngëtari i njohur, të pranishmëve në sallën e Pallatit të Kongreseve ku për tre net me radhë u zhvillua festivali i përvitshëm i muzikës së lehtë mbarëshqiptare.
Në natën e sotme finale, Ardit Gjebrea kishte të ftuar speciale edhe aktoren turke që luan rolin e Gymysh në serialin me të njëjtin emër që prodhohet në Turqi.
i.t/NOA