English

Me shkas nga “majmunët” maqedonas

"Vetëm Partia për Drejtësi dhe Unitet e vlerësoi siç duhet rëndësinë e këtij skandali dhe kërkoi, me të drejtë, një reagim më të madh nga politika. Mund të kishte reagim edhe nga politika, edhe nga diplomacia. Por të paktën të kishte nga bota e futbollit."

Nga Besnik Mustafaj

Të mërkurën e kaluar, në Prilep të Maqedonisë u zhvillua një ndeshje futbolli midis përfaqësueses sonë dhe asaj maqedonase, e cila, sipas terminologjisë zyrtare, do të duhej të ishte miqësore. Në kuptimin e parë lidhur me një ndeshje të tillë futbolli, kjo “miqësore” do të thotë se ndeshja nuk do të shërbente për ndonjë kualifikim të caktuar për ekipet që ndesheshin. Por “miqësore” është një cilësor, i cili nuk mund të mbyllet në suazën e thatë e të ngushtë të një gjuhe teknike. Me zanafillën e tij, ky cilësor është i taksur të shprehë shumë më tepër. “Miqësorja” përfaqëson një marrëdhënie respekti, mirëbesimi dhe ngrohtësie të përzemërt midis njerëzve që do të zhvillojnë ndeshjen si dhe të atyre që kanë shkuar në stadium për të kënaqur veten duke mbështetur sportistët. Siç e pashë në televizion, fatkeqësisht, ajo ndeshje nuk u zhvillua në një atmosferë miqësore. Përkundrazi. Disa mijëra tifozë maqedonas, për 90 minutat sa vazhdoi ndeshja, nuk reshtën së lëshuari thirrje shumë të rënda fyese dhe madje kërcënuese kundër shqiptarëve. Këta tifozë me imagjinatë të pasur kanë zgjedhur si nofkë përbashkuese ta quajnë veten “majmunë”. Nënqeshja, që i buron vetvetiu njeriut tek mëson një fakt të tillë, nuk është një emocion i mjaftueshëm për ta përligjur sjelljen e tyre, e cila, krejt me dashjen e tyre, cenon një komb të tërë. Sipas asaj që thanë vetë, me zë të lartë dhe në kor madje, “majmunët” maqedonas mendojnë se “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”. Publikisht, pa iu dridhur qerpiku, në sy të të dyja ekipeve, të autoriteteve më të larta të federatave të futbollit të të dyja vendeve, të spektatorëve të tjerë vendas e të ardhur si dhe të kamerave televizive e të mikrofonave të radiove, ata kërkojnë gjenocid me “dhomë gazi për shqiptarët”, gjë që nuk kishin guxuar ta kërkonin kështu publikisht as nazistët e Hitlerit për hebrenjtë. Ata nuk i ndihmon ta përmbajnë sadopak urrejtjen e tyre as fakti se katër nga njëmbëdhjetë futbollistët e Kombëtares së tyre që luanin në fushë, janë me kombësi shqiptare. Deri këtu përgjegjësia e skandalit u mbetet vetëm “majmunëve” që ulërinin dhe turpi do të binte vetëm mbi ta në qoftë se të tjerët, më së pari futbollistët e ekipit tonë, do t’u kishin dhënë përgjigjen e merituar, duke nderuar veten jo vetëm si shqiptarë, por edhe si qytetarë të civilizuar në Europën e vitit 2011. As më shumë e as më pak, por ata duhej të ndërprisnin ndeshjen. Në çdo vend tjetër normal të Europës, në SHBA, madje edhe në Afrikën e Jugut, një ekip sportistësh të përfaqësueses kombëtare do të refuzonin të luanin nën një dhunim të tillë nga ana e tifozëve të ekipit kundërshtar. Për më keq, siç thoshte shtypi, “majmunët” maqedonas ishin të inkurajuar edhe nga vetë futbollistët e tyre, të cilët, qysh në momentin ceremonial para fillimit të ndeshjes, fyen Himnin Kombëtar kuq e zi. Një arsye më shumë kjo që përfaqësuesit e Himnit kuq e zi të ndjeheshin thellësisht të fyer e të tronditur jo vetëm në identitetin e tyre kombëtar, por edhe në botëkuptimin e tyre si qytetarë. Refuzimi për të luajtur nuk do të kishte qenë aspak një përgjigje e tepruar nga ana e futbollistëve tanë. Do të kishte qenë bile një gjest që do t’i ndihmonte edhe autoritetet maqedonase të merrnin përgjegjësitë e veta, qofshin ata drejtues të Federatës së tyre të Futbollit, e qofshin policë të thirrur në stadium për të mbajtur rendin. Nuk e bënë futbollistët tanë më të shquar, kapiten i të cilëve ishte pikërisht Lorik Cana, të cilin, ndër të tjera, e shohim të kapardiset edhe në videoklipin e Aleancës Kuq e Zi. Sa keq për veten e tyre, por dhe për ne, që do të dëshironim t’i shihnim më të pjekur djemtë tanë. E gjithë baza ligjore dhe morale mbi të cilën ngrihet Federata Europiane e Futbollit (UEFA) si dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), e shpall të papranueshme dhe të dënueshme një sjellje të tillë të “majmunëve” maqedonas. Në rregulloret e këtyre organizatave janë parashikuar ndëshkime të rënda, të cilat edhe janë zbatuar pa mëdyshje shumë herë. Federate maqedonase e Futbollit, kur ka kërkuar të anëtarësohet në këto organizata të nderuara, ka pranuar me vullnet të lirë edhe parimet mbi të cilat janë ndërtuar ato dhe është zotuar solemnisht t’i mbrojë këto parime në veprimtarinë e vet. Po ashtu, ekzistojnë një sërë konventash të rëndësishme ndërkombëtare, në të cilat edhe vetë qeveria dhe shteti maqedonas janë anëtarë me legjitimitet të plotë. Fjala është për konventa që i detyrojnë shtetet anëtare jo vetëm të distancohen publikisht nga çdo shfaqje racizmi e ksenofobie, por edhe të përdorin të gjitha instrumentet ligjore dhe edukative për t’u prerë rrugën shfaqjeve të tilla. Posaçërisht këto konventa kanë lindur nga përvoja tragjike që përjetoi Europa shtatëdhjetë e ca vjet më parë me nazizmin e fashizmin. As aty për aty në stadium, por as më vonë, me sa kam arritur të mësoj nga mediat, Federata e Futbollit të Maqedonisë, ashtu si edhe institucionet e ndryshme të shtetit maqedonas, nuk përmbushën as minimalisht detyrimet e tyre ndërkombëtare. Ata u sollën dhe vazhdojnë të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por, kur ata nuk kujtohen të marrin përgjegjësitë që u takojnë, dikush tjetër duhet t’ua kujtojë. Dikush tjetër, madje, e ka mirëfilli për detyrë t’ua kujtojë dhe t’ua kujtojë rreptë, e jo sa për të larë gojën. Dhe ky “dikush” tjetër do të duhej të ishte në krye të herës Federata jonë e Futbollit. Por edhe ajo, për turpin dhe fajin e vet, ka heshtur e vazhdon të heshtë. Shikoni ç’argument jep para mediave sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, zoti Eduard Prodani, për këtë heshtje: “Presidenti i FSHFsë, Duka, nuk ka dashur të prishë miqësinë me homologun e vet maqedonas”. Kjo arsye e paarsyeshme, siç do të shprehej Don Kishoti, e nxjerr kryetarin e Federatës sonë të Futbollit në një dritë vërtet shumë të keqe. Me një arsyetim të tillë, ky kryetar nxjerr në pah sa të gabuar e ka vizionin për detyrën që ka marrë përsipër. Ai nuk është aty për të ruajtur miqësitë personale, për t’u bërë “burrë i mirë” në kurriz të nderit e të krenarisë së atyre që përfaqëson. Por dikush duhet t’ia kujtojë edhe zotit Duka misionin e vet, në qoftë se ai nuk e kupton. Ky “dikush”, me sa duket, nuk mund të jetë as sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, i cili, për t’i shërbyer hallit të eprorit të vet për të mos lënduar mikun e vet maqedonas, njofton se nuk do të ankohen në UEFA për atë çka ndodhi në stadiumin e Prilepit, siç do të bënte çdo federatë serioze e botës. Drejtuesve të Federatës tonë të Futbollit, siç del nga vetë fjalët e Prodanit, u vjen keq për ndëshkimet me gjoba që do të merrte Federata homologe maqedonase nga UEFA në rast se këta tanët do të ankoheshin. Zoti Prodani, madje, e sqaron opinionin tonë publik se Risterki, kryetar i Federatës maqedonase të Futbollit, “na ka bërë pritje shumë të mirë”. Dy kryesuesit e federatave dhe ndihmësit e tyre ndoshta kanë ngrënë e kanë pirë së bashku jashtë stadiumit. Kjo është punë e tyre. Por ngjan e papërfytyrueshme se si mund të jenë ndjerë mirë e të respektuar Duka, Prodani e gjithë kollankusuri që i shoqëronte kur kanë dëgjuar korin e tërbuar të bërtasë për 90 minuta duke kërkuar “dhoma gazi për shqiptarët”. Po të kishin menduar me kokë e jo me stomak, ata ndoshta do ta merrnin vesh se këto dhoma gazi kërkoheshin edhe për ata vetë si mbajtës të pasaportës shqiptare. Sigurisht që trimat në krye të Federatës sonë të Futbollit e dinë se “majmunët” maqedonas nuk kanë fuqi t’i çojnë ata në dhomat e gazit. Por kjo nuk është arsye që ata të ndjehen edhe më pas të qetë në ndërgjegjen e tyre. Federata Shqiptare e Futbollit është një organizatë, e cila, të paktën në letër, ka edhe Asamble të Përgjithshme, edhe Komitet Ekzekutiv. Ka ende kohë të shpresohet se në këto struktura do të gjendet ndonjë burrë që t’ua trazojë ndërgjegjen drejtuesve. Skandali ishte i rëndë. Dhe për më keq, i përsëritur. Ai do të përsëritet, me siguri, në qoftë se nuk reagohet tani. Kjo duhet të kuptohet mirë e të mbahet mend. Vetëm Partia për Drejtësi dhe Unitet e vlerësoi siç duhet rëndësinë e këtij skandali dhe kërkoi, me të drejtë, një reagim më të madh nga politika. Mund të kishte reagim edhe nga politika, edhe nga diplomacia. Por të paktën të kishte nga bota e futbollit.

"Panorama"

KOMENTE