"Pikërisht ky është ai incidenti i madh të cilit duhet t’i zbulojmë burimin e lidhjes dhe ndikimit të pabarabartë të medias mbi reklamimin e librave të caktuar në dëm të vlerës më të madhe të panairit, zbulimit dhe nxjerrjes në pah të hierarkisë së vlerave të librave të paraqitur në të."
Nga Ndriçim Kulla
Nuk do t’i isha kthyer kurrsesi diskutimit të Panairit të Librit pas kaq shumë vitesh që debatoj e propozoj për organizimin e tij, instrumente e mekanizma për t’ia përmirësuar efektshmërinë e qëllimit kryesor, zhvillimit të vlerave, paraqitjes dhe ndihmimit të tyre të vijnë sa më mirë në sytë e publikut. Është menduar për vite të tëra edhe si t’ua lehtësojmë barrën ekonomike botuesve dhe lexuesve që marrin pjesë në të, si ta shpëtojmë hierarkinë e vlerave nga “ndërhyrjet” objektive të tregut të prirë ndaj gjërave më të lehta e të pupëlta, sesa ndaj vlerave të qëndrueshme që nuk janë stinore ose shkurt-kohore, por baza dhe rrënjët e çdo kulture. Shumë probleme e mangësi të këtij lloji janë hasur gjatë këtyre viteve e kërkojnë zgjidhje ende dhe sot nga komuniteti i botuesve, shumë gjëra janë përmirësuar falë edhe vullnetit të mirë të bashkëpunimit me të gjithë miqtë dhe “agjentët” publikë e jopublikë që ndihmojnë në kulturën e librit. Megjithatë, ajo çka ndodhi në Panairin e sivjetshëm të Librit i ka anashkaluar të gjitha përpjekjet tona, pikërisht sepse i ka zhvlerësuar të gjitha këto probleme si dytësore, përpara “incidentit” të madh që na ofroi ky panair. Do të dëshiroja ta përcaktoja si “incident”, pavarësisht se dua të mendoj se nuk do të kthehet në rutinë a në një problem të vazhdueshëm të panaireve të ardhshme. E së dyti, do të doja që termi të mbartte nocionin e një devijimi, shmangie të qëllimshme ndaj funksionit kryesor. Pas kësaj do të parashtroja që në fillim se problemi nuk qëndron në themel tek 3-4 protagonistët apo bestseller-ët e këtij panairi. Ndoshta futja e tyre e njëhershme në treg është një rastësi a incident, ndoshta politika mund të mos pushtonte gjithë shtypin dhe median vizive për të paktën këto 4 ditë, përderisa ka vitrinë të stërmadhe 360 ditët e tjera të vitit, ndoshta gjithçka u kthye në përgjigje dhe kundërpërgjigje fansash politikë, ndoshta moda e blerjes së librit që ndoshta s’e lexon ose s’e kupton, u kthye në një “ortek”; të gjitha këto janë pjesët e një mozaiku të vërtetë, por problemi qendror i këtij incidenti nuk besoj se qëndron vetëm këtu. Është hera e parë ndoshta që media, e shkruar dhe vizive, nuk u soll si ai miku i mirë e dashamirës i librit, siç duhet të jetë e siç në përgjithësi ka qenë gjatë panaireve të mëparshme. Përkundrazi, si ai miku i paftuar ajo u turr gjatë gjithë kohës kur reklamohej panairi të shfrynte gjithë “bateritë” e saj nëpër gazeta e televizione, nëpër promovime që ngjanin me mitingje për nga numri i pjesëmarrësve, nëpër reklama marramendëse të çdo ore, e nëpër seri copëzash botimesh libri, të ndjekura nga komentime lumë në çdo gazetë apo televizion, për shprehje e deri për detaje banale të këtyre librave. E gjitha kjo nuk kishte si të mos devijonte vëmendjen e mediave nga thelbi i vërtetë i panairit. E ethet e saj për të paraqitur kanakarët e secilit prej televizioneve vazhdoi në përgjigje e kundërpërgjigje shifrash në lidhje me librat e shitur, duke lënë në harresë kronikat e dikurshme për librat më cilësorë, më promocionalë, qoftë edhe për polemika që s’duhet të kaloheshin kollaj, siç qe ajo mbi Fishtën apo, pse jo, edhe për Koliqin. Në një panair normal të viteve të shkuara, media do të qe sjellë ndryshe, por ethet e protagonizmit e shtynë të ngrinte në pah vlerat e personazheve të saj, për të arritur deri aty sa edhe libra të veçantë të botohen me siglën e njërës prej mediave më të fuqishme në vend. Pikërisht ky është ai incidenti i madh të cilit duhet t’i zbulojmë burimin e lidhjes dhe ndikimit të pabarabartë të medias mbi reklamimin e librave të caktuar në dëm të vlerës më të madhe të panairit, zbulimit dhe nxjerrjes në pah të hierarkisë së vlerave të librave të paraqitur në të. Është e natyrshme që kemi të bëjmë me media private, por produkti i tyre është edhe publik, ashtu si dhe misioni, e në këtë rast misioni i së drejtës publike është shkelur me këmbë në mënyrën më përdhosëse. Ku është deontologjia e gazetarëve apo edhe e mediave në tërësi kur nuk arrin të ruajë baraspeshën apo të drejtojë vëmendjen me mekanizmat e një “star system” të gradës më të lartë?! Të gjithë ndoshta prisnim një parahyrje të vitit të qindvjetorit të pavarësisë, ku historia, albanologjia, shkenca e tyre të viheshin në syrin, edhe jo shumë të kujdesur të reporterit, për t’ua sjellë ato lexuesve. Të gjithë prisnim botimet më cilësorë të letërsisë të viheshin më në pah, krahas atyre mbi tema të caktuara të nxehta të përkujtimit të këtij qindvjetori. Mirëpo, nuk ndodhi kështu, e mendja të shkon menjëherë se mos vallë ky “incident” është paradhoma e instalimit të një industrie të kulturës edhe në Shqipëri, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe Adorno, ku një lidhje e fortë e medias me interesat politike dhe sociale, përtej se ekonomike që gjeneron një produkt si libri, kërkon dhe arrin të drejtojë frymën dhe shijen e lexuesit, për t’ia mjegulluar dhe davaritur realitetin ashtu siç dëshiron ai, e në fund, në dëm të kulturës së vërtetë t’i ofrojë vetëm një imazh të pavërtetë, një kopje të shëmtuar të realitetit të vlerave dhe hierarkisë së saj. Ja, ky është meraku më i madh që mund të na zgjojë fenomeni i këtij panairi. Nuk prish punë hiç se lindën tre-katër bestseller të rinj, as se ranë në pus (vetëm përkohësisht, se vlerat dinë të dalin në sipërfaqe) botime të tilla përkujtimore të një cilësie të lartë letrare e shkencore, që fare mirë mund të quheshin ngjarje, madje problemi nuk qëndron fare tek ata në vetvete, por te përdorja që i bëri e mund t’i bëjë media në të ardhmen këtij fenomeni në kurriz të vlerave të vërteta të kulturës. Nuk duhet të fitojë kultura e imazhit, vetëm se prapa ka ndihmën e medias, nuk duhet lënë të mavijohet kjo kulturë e “kryeveprave mediatike”, duhet të jetë tregu i lirë dhe i pandikuar egërsisht nga ana e mediave, ai që duhet të vendosë vlerat. Tek e fundit, lexuesi i gjithë këtyre viteve ka ditur të zgjedhë librin më të mirë, edhe pa ndihmën e medias. Ai ka ditur t’i zbulojë vlerat e qëndrueshme kombëtare dhe identitare të një letërsie a një studimi me baza letrare dhe shkencore. Le të mos ia devijojmë këtë shije, le të qëndrojmë të drejtë në reklamim dhe të mos ndikohemi nga ethet e propagandës dhe fitimit me çdo kusht. Ky qerthull është shumë i rrezikshëm nëse konsolidohet në të ardhmen, veçanërisht për fusha të brishta e të caktuara të kulturës sonë kombëtare, që s’duhet të trysnohen kurrsesi nga pesha e stërmadhe e fuqisë mediatike, por përkundrazi, duhet të ndihmohen prej saj, në përmbushje të misionit të saj më të madh publik, ruajtjes së vlerave të vërteta.
Gazeta "Panorama"