English

Nju Jork, Roberto Saviano mes të indinjuarve: Berluskoni gënjeu!

Nju Jork, 19 nëntor 2011, NOA – Shkrimtari italian Roberto Saviano mbërriti sotNju Jork për t’iu bashkuar të indinjuarve në Parkun Zuccotti, në zemër të lagjes tregtare.

I emocionuar për mikpritjen, Saviano i falenderoi të indinjuarit, duke thënë se është nder për të, të jetë mes tyre, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Një ditë pas demonstratës më të madhe të organizuar në parkun e pushtuar nga të indinjuarit po ngrihet edhe një asamble e kësaj lëvizjeje.

“Berluskoni gënjeu dhe tani Italia gjendet në një situatë të paprecedentë, edhe pse ai u largua nga qeveria”, tha Roberto Saviano përpara dhjetëra të indinjuarve të tubuar aty për ta dëgjuar fjalën e tij.

Në vijim Saviano apeloi që të shohin Italinë, pasi nëse Italia ndodhet në kolaps ekonomik, në kolaps ndodhet edhe euro dhe SHBA-të.

“Besoj dhe shpresoj që shkatërrimi i mafias të jetë dhe do të jetë një nga prioritet kyç të qeverisë së re italiane”, shtoi shkrimtari italian, i cili i rezervoi komentet për qeverinë e re në vetëm një koment të shkurtër: “Duhet t’i japim kohë, por jo shumë”, tha Saviano.

Shkrimtari italian ndodhet në Nju Jork për të shpjeguar se si kriza ekonomike po shfrytëzohet nga mafia për të fituar gjithnjë e më shumë para dhe pushtet.

Të indinjuarve në parkun Zuccoti iu bashkua edhe një nga aktoret më të paguara të Hollivudit, 29-vjeçarja Anne Hathaway.

Por fytyra e protestës së të indinjuarve është ajo e Brandon Watts, djaloshit 20-vjeçar që ishte i pari që nguli çadrën e tij në parkun e madh në Nju Jork, dy muaj më parë.

Sipas të përditshmes “Daily News”, lëvizja e të indinjuarve po mendon për të ardhmen, pasi tani po enden si beduinët arabë.

mit/NOA

KOMENTE