Tiranë, 20 nëntor 2011, NOA - Kryeministri Berisha u nis sot, për një vizitë zyrtare treditore në Izrael, me ftesë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kjo vizitë do të kontribuojë për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Kryeministri do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv. Delegacionin e Kryeministrit Berisha e shoqëron edhe një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias.
Zyra e shtypit e kryeministrisë deklaron se, në ditën e parë të vizitës së tij, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin Shimon Peres.
Kryeministri Berisha do të takohet me Kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.
Takime të veçanta Kryeministri Berisha do të ketë me dhe Kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, Zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës Uzi Landau.
Kryeministri do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “ Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.
Në ditën e tretë të vizitës, Kryeministri Berisha do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare. Kryeministri do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kompanive izraelite.
Një moment i veçantë i vizitës për Kryeministrin do të jetë edhe ceremonia e dhënies së titullit “Anëtar nderi”, nga Shoqata Shqiptaro-Hebraike.
a.q/NOA