Tiranë, 20 nëntor 2011, NOA – Nënkryetari i partisë në pushtet, Astrit Patozi deklaron se statuti i partisë, është gjëja e vetme që lidh presidentin Bamir Topi me Partinë demokratike. Në një intervistë për të përditshmen “MAPO”, Patozi i ka dhënë përgjigje kreut të shtetit, i cili ka paralajmëruar krijimin e një force të re politike e po aq edhe për mesazhin e dërguar prej mbështetësit të tij Gazmend Oketa, se Topi duhet ftuar në PD sa kohë që në bazë të statutit, ai është apriori anëtar i Këshillit Kombëtar:
“Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund t’u ketë mbetur borxh në këto 20 vjet. E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë. Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në. Madje, për fat të keq, tek disa personazhe, barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik”, ka deklaruar Patozi.
Prej kohësh, Bamir Topi, edhe pse jo qartazi, ka paralajmëruar krijimin e një partie të re politike. A keni bërë juve një analizë të brendshme në strukturat e PD-së se sa mund ta dëmtojë këtë forcë politike krijimi i një partie të re të djathtë dhe, a ka PD-ja një strategji konkrete për ndalimin e rrjedhjeve të votave drejt një force të re politike që kësaj here favorizohet jo pak nga konsumimi i mandatit të dytë qeverisës e për pasojë, pakënaqësive që kanë lindur prej saj?
- Kjo është një çështje e Presidentit, për të cilën tashmë ai ka folur vetë. Se sa etike është që vetë kryetari i shtetit, i cili është betuar mbi Kushtetutë, që do të jetë mbi palët, të deklarojë një vit para përfundimit të mandatit se ka në projekt krijimin e një partie politike, këtë le ta gjykojnë shqiptarët. Me një deduksion të thjeshtë i bie që një mandat presidencial 5-vjeçar ka shkuar i gjithi në funksion të një ambicieje politike personale. Sa për analizat, ato zakonisht bëhen pasi ndodhin ngjarjet. Ne nuk mund të zhvillojmë analiza për ëndrrat dhe dëshirat e të tjerëve.
Në të gjithë historinë e saj, PD-ja nuk është kondicionuar asnjë herë nga lëvizjet e kundërshtarit, përkundrazi ka dominuar skenën politike edhe në kohën kur ka qenë në opozitë, duke e detyruar shpeshherë qeverinë e saj kohe që ta ndjekë në trajektoren e saj. E thënë ndryshe, një parti e përmasave të tilla nuk mund t’ia lejojë vetes që të përqendrohet tek detajet, duke lënë mënjanë thelbin. Sepse në qendër të filozofisë së saj qëndron zgjerimi dhe jo ruajtja fanatike e statuskuosë dhe e radhëve, një koncept ky i tejkaluar dhe arkaik. Energjitë tona politike nuk do të kishin asnjë vlerë, nëse ato nuk përdoren për të frymëzuar shumë më tepër se sa është anëtarësia e Partisë Demokratike, por thjesht për të mbajtur ngjitur pas vetes një grusht njerëzish, me “frikën” se ata mund të hidhen nga çasti në çast në prehrin e kundërshtarit.
Sigurisht që gjatë kësaj periudhe të gjatë ka pasur shumë figura politike, që në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme e kanë gjetur veten jashtë Partisë Demokratike. E di se të tillë mund të ketë edhe në momentin që po flasim. Por unë nuk gjykoj që ata po presin Bamir Topin për të shprehur mllefet dhe pakënaqësitë e tyre, sepse nuk u ka munguar dhe nuk u mungon “komandanti” për të qenë kundër Sali Berishës. Aty e kanë pasur, aty e kanë dhe aty do ta kenë të paktën edhe për dy vjet Edi Ramën.
Në një deklaratë të pak kohëve më parë, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, shprehej se PD-së i takon, madje është në nderin e kësaj partie, shprehej ai, që Bamir Topi të ftohet në PD pas mbarimit të mandatit të presidentit, meqenëse është sipas statutit anëtar i Këshillit Kombëtar. Ç’mendim keni për këtë variant?
-Nuk e kam zakon të komentoj deklaratat e të tjerëve, por thjesht po e marr si një pyetje tuajën. Unë mendoj se nuk kanë lindur ende ata burra dhe gra, të cilëve Partia Demokratike mund t’u ketë mbetur borxh në këto 20 vjet. E kundërta po, është një dukuri e rëndomtë. Janë dhjetëra dhe ndoshta qindra figura politike, që kanë me mijëra fatura të pashlyera kurrë në raport me PD-në. Madje, për fat të keq, tek disa personazhe barra e borxheve është kaq e madhe, sa nuk do të mjaftonin disa jetë për ta larë atë. Në këtë këndvështrim, rasti Topi është emblematik. Por, gjithsesi nuk ia vlen të merresh gjatë me këtë histori, aq më tepër, kur nuk ka ardhur koha për inventar, sepse jemi ende shpejt. Partia Demokratike i bën gjithkujt shumë më tepër nder, se sa secili mund ta nderonte atë duke qenë pjesë e saj. Kjo vlen për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Tani të kthehemi tek ftesa. Meqenëse statuti e paska këtë nen, dhe kjo është e vërtetë, atëherë ç’nevojë ka që të ftohet kush për të zënë një vend që i takon. Fakti që përmendet statuti, do të thotë se me sa duket, nuk ka mbetur ndonjë gjë tjetër që mund të lidhë Bamir Topin me partinë që e bëri President. Dhe kjo është shumë e rëndë. Ndërkohë, ai e ka bërë zgjedhjen e vet, sa herë që i është paraqitur rasti. Votimi i 8 majit ishte thjesht më flagranti.
a.q/NOA/MAPO