Medvegjë (Serbi) 20 nëntor 2011, NOA – Një familje shqiptare është bërë pre e dhunës se forcave të policisë serbe në Medvegjë. Familja e Sokol Ismajlit është sulmuar nga forcat e policisë në rrethana ende të panjohura.
Sipas të dhënave, gjatë këtij aksioni është rrahur brutalisht kryetari i familjes, Sokoli, gjendja e të cilit është mjaft e rëndë. Po ashtu preh e dhunës ka rënë dhe bashkëshortja e tij Rabisha si dhe fëmijët e tij. Dhuna ndaj gjithë familjes Ismajli është konfirmuar dhe nga kryetari i Bashkësisë Lolake të fshatit Topallë dhe nënkryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahiti.
Kryetari i bashkësisë lokale, Faik Hajdari informoi se dy policë kishin shkuar në shtëpinë e Sokolit dhe kishin kërkuar nga ai që të shkoj për të fikur një zjarr në fshat. Sokoli kishte refuzuar duke thënë se nuk mundet të shkoj pasi që është i sëmurë. Më pas ka ndodhur dhe rrahja.
Familjes Ismajli iu është dhënë ndihma mjekësore, ndërkaq Sokoli është dërguar për në spitalin e Lesovcit.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës, Sllobodan Drashkoviç, por ai nuk ka mundur të flas për detajet. Drashkoviç ka vizituar familjen e Sokolit, ndërsa ka thënë se pret nga policia që të zbardhin rastin. Nga Drejtoria Policore e Leskocit është thënë se në Medvegjë është dërguar një ekip i cili duhet ta hetoj rastin.
a.k./NOA
Në foto: Sokol Ismajli