"Ky është shembulli që po degjeneron realitetin e përfaqësimit zgjedhor në qeverisjen dhe demokracinë institucionale të vendit. Për këtë arsye, fokusimi tek ky “kampion” është hapi i parë për të dhënë alarmin për këtë degradim serioz në sistemin dhe sidomos në demokracinë e vendit"
Nga Aleksandër Çipa
Beteja për të ulur një kryetar të Qarkut të Fierit në karrigen institucionale, është një “kampion” ose edhe kazus, e shëmtisë politike shqiptare. Me të drejtë, një media online e cilësonte si një institucion “nën mëshirën e logjikës parashtetërore”.
Beteja për karrigen e kryetarit të ri të Qarkut të Fierit është “kampion” përmes të cilit ne, qytetarët e këtij vendi, po sodisim se si po degradon demokracia e përfaqësimit në një duel grabitqaro-mafioz, prej të cilit nuk del produkt një kryetar i ri rajonal, por fitohet një model me gjasa shumështuese, në kësi postesh institucionale. Në qasjen time, nuk kam parasysh se e drejta i përket më shumë kryetarit të majtë apo atij të djathtë. Secili prej tyre, sido që të vendoset, me dashjen apo pa dashjen e tyre, ka rikthyer në qytetin e Fierit, në historinë e qeverisjes vendore të këtij qarku të rëndësishëm në nivel vendi, një precedent me pasoja të shumta degraduese. E theksoj, me pasoja të shumta, sepse në episodet e përcjellë prej tubimit qytetaro-militanto-policor në mjediset e këtij institucioni qeverisës, mund të pikaseshin qartazi shenjat e sjelljes dhe dhunës parashtetërore. Në ato përballje palësh, si në logjikën e ndeshjes: ”Kullën do ta zë unë”, gjithkush fiton imazhin real të demokracisë jo zgjedhore, por uzurpokracisë tribale shqiptare.
Varianti pasues i “kazusit” të Qarkut të Fierit është paralajmëruar dhe ka gjasa të jetë kreu i ri i Qarkut të Gjirokastrës. Kjo është një betejë ku politika po rrëshqet në mafiozimin e vet si sjellje, veprim dhe realitet i hapur publik. Beteja për të drejtën e përfaqësimit me votë ngjan si me nisje normale, për shkak të rivalitetit aritmetikor të votave të këshilltarëve. Në të vërtetë, nuk është kështu. Në thelbin e saj është degjenerimi i procesit zgjedhor në proces trafikimi, mitmarrjeje dhe ofertimi korruptiv. Nëse do të kishte mundësi të investigoheshin të gjitha bisedat që negociatorët nëpër këshilltarë të majtë dhe të djathtë bëjnë për qëllimin e votës ndaj njërit apo tjetrit kandidat, atëherë do të kishim mundësinë të zbardhnim anatominë e këtij korrupsioni që ka degjeneruar në këtë show politiko-zgjedhor. Për shkak të këtij procesi të turpshëm korruptivo-politik, qarqet që përmendëm dhe ndoshta edhe nivele të tjera pushteti të qeverisjes vendore, do të riciklojnë kësi aktesh dhe spektaklesh tribalo-politike. Ky është shembulli që po degjeneron realitetin e përfaqësimit zgjedhor në qeverisjen dhe demokracinë institucionale të vendit. Për këtë arsye, fokusimi tek ky “kampion” është hapi i parë për të dhënë alarmin për këtë degradim serioz në sistemin dhe sidomos në demokracinë e vendit.
Kjo maskaradë ngjet në shesh të hapur, në sy të të gjithëve dhe nën indiferencën e shumicës së komponentëve monitorues, auditues dhe vlerësues. Kjo “odise” mjerane e procedimit demokratik, po soditet nga ambasadorët dhe diplomacia e huaj në vend. Maskarada për kreun e Qarkut në Fier e gjetkë, turpëron më shumë se çdo gjë tjetër në këtë jetë publike. Kjo është shenjë se ky degradim politik po e rifut Shqipërinë në skakierën e vendeve jo me demokraci hibride, por me kulturë kënetore zgjedhore e përfaqësimi.
Në këtë subjekt të mafiozimit publik të politikëbërjes, po vihet në lëvizje edhe gjyqësori. Vini re se si po kalon ky proces nga Gjykata e Faktit në atë të Apelit dhe më tej. Një proces që të dyja palët politike po qesharakëzohen nëse e vijojnë edhe më tej protagonizmin e këtij subjekti. Sa herë del një vendim gjykate, palët grumbullojnë “jeniçerët-militantë” në dyert e zyrës së pretenduar. Këta “jeniçerë” duket se janë të gatshëm të kryejnë aktin përmbarues të vendimit të Gjykatës. Një degradim provincial e lumpenik, i cili jo vetëm që nuk mund të ofrojë entuziazëm, por shkakton pezmatim dhe trishtim politik e social për qytetarët normalë të vendit. Kjo është simptomë e rrezikshme e ikjes nga demokracia reale dhe vlera magjike që ka vota. Ky është akt i pastër i shembjes së demokracisë zgjedhore dhe i tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Një provë e tillë nuk mbetet vetëm tek vota, por ajo po cenon edhe funksionet, edhe integritetin e shtyllave të tjera të demokracisë shtetërore. Shihni se si po përfshihet në këtë lojë gjykata! Një zgjedhje me procedurë, e jo me proces të pastër zgjedhor. Kjo lojë e interesit të ngushtë politik, po rrezikon imponimin e gjyqësorit dhe përdorimin e segmenteve e strukturave apolitike të shtetit. Beteja për kreun e ri të Qarkut të Fierit dhe pse jo, edhe Gjirokastrës, është shprehje e qartë e tendencës për ta ri-recidivizuar politizimin dhe pushtetkapjen në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit. Lidershipi i partive kryesore duhet t’i ikin kësaj loje, sepse ajo është thjesht një sjellje retrograde dhe banalizon kuptimin dhe vlerën e zgjedhjes dhe përfaqësimit. Ky rrezik kësaj here rikthehet nga loja për poste qeverisësish, në nivelin e “mesëm”, të cilët realisht janë urdhërbindës të qeverisë qendrore dhe ka gjasa të shndërrohen në “autarkë” të qeverisjes lokale. Në këtë mënyrë, uzurpokracia po merr dimensione të rrezikshme, sepse kërkon me çdo kusht mandat.
Gazeta "Shqip"