English

A ka qendër Tirana?

Pallati i Kulturës tashmë i amortizuar, hotel Tirana, apo Muzeu Kombëtar, sarkofag i një historie që përndryshe rishkruhet përditë? Meqë e mbaj mend mirë kohën kur sheshi Skënderbej dhe rrethinat ishin vërtet zemra pulsuese e Tiranës, s’e kam të vështirë të vërej se qendra e sotme nuk është veçse një hije, ose projeksion astral i asaj të djeshmes"

Nga Ardian Vehbiu

Kësaj pyetjeje s’i përgjigjem dot menjëherë; ndoshta ka, ndoshta jo; por gjithsesi, nuk do t’i referohesha ashtu një zone urbane të cilën të gjithë vijojnë ta quajnë “qendër” për faj më tepër të një inercie gjuhësore dhe psikologjike. Sheshi Skënderbej këto ditë është duke iu kthyer publikut, premtim-gjelbërimit dhe sidomos veturave që i vijnë rrotull, karusel për fëmijë të rritur. Megjithatë, kaq nuk mjafton, që ai truall ta meritojë emrin dhe titullin që e ka pasur dikur.

Për shkak të punimeve, shpesh misterioze, që ndërmori atje Bashkia, sheshi qëndroi i mbyllur dhe i gardhuar për më shumë se një vit; kohë e mjaftueshme për qytetarët që të mësohen pa të, t’i shmangen me kujdes, të ndjekin itinerare të tjera, drejt vendesh të tjera në qytet. Deri edhe në fillim të nëntorit të këtij viti, hapësira e qendrës i kërcënohej Tiranës si gropë thithëse – e pluhurt gjatë ditës, e errët gjatë natës. Madje vizitorit të largët, zbrazëtia e trotuareve dhe heshtja e lyer me dritën e verdhë të neonëve ia ndillnin një farë ngjethtësire si prej mallkimi. Qendra e një qyteti quhet e tillë sepse drejt saj qytetarët tërhiqen magnetikisht; dhe jo për të marrë pjesë në mitingje ose parakalime si dikur, por sepse u pëlqen të shkojnë dhe të rrinë atje. Po çfarë do t’i tërheqë tiranasit sot në qendër?

Pallati i Kulturës tashmë i amortizuar, hotel Tirana, apo Muzeu Kombëtar, sarkofag i një historie që përndryshe rishkruhet përditë? Meqë e mbaj mend mirë kohën kur sheshi Skënderbej dhe rrethinat ishin vërtet zemra pulsuese e Tiranës, s’e kam të vështirë të vërej se qendra e sotme nuk është veçse një hije, ose projeksion astral i asaj të djeshmes. Njerëzit mund ende t’i kalojnë përmes, por nuk është se do të shkojnë më aty për të ndenjur dhe për t’i dhënë jetë. Dikur grykëderdhje e natyrshme për rrymat dhe përrenjtë e tiranasve ditën dhe natën, mëngjeseve dhe mbrëmjeve, sot Qendra është katandisur në zonë kufitare, liminale, brez të butë e tokë të askujt, shtrirë midis llokmave pa lidhje të një qyteti që, bash për këtë arsye, e ka humbur integritetin e vet. Çfarë i tërheq banorët e qytetit drejt këtij apo atij vendi publik?

Çfarë ia jep magjinë hapësirës urbane? Vështirë t’i përgjigjesh kësaj me pak fjalë; por gjithsesi, sheshi i ri “Skënderbej” nuk bën pjesë në hapësira të tilla. Dikur, ai shërbente mirë si rezervuar dhe paradhënie për ritualin e xhiros mbrëmësore në Bulevardin e madh; por edhe si vend takimi, ose edhe vend shplodhjeje për të gjithë ata që uleshin te “guri”, ose parapeti rreth e rrotull parkut pas monumentit të Skënderbeut. Janë vende të tilla, ku qytetarët shkojnë për të parë njëri-tjetrin dhe për t’u socializuar, që ia japin sharmin karakteristik çdo qyteti: mjaft të kujtoj një Piazza di Spagna a një Piazza del Popolo në Romë; ose një Union Square a një Columbus Circle në New York City; por kushdo mund të sjellë shembuj të tjerë, nga qytetet që njeh e që i ka jetuar.

Sot xhiroja në Bulevard nuk guxohet më, përveçse me makinë; teksa trafiku i ftuar të qarkullojë sërish e bën sheshin të pakëndshëm e jotërheqës për njerëzit, meqë pakkush do të guxonte të rrinte e të kalonte kohën në një ishull të rrethuar nga makinat, buritë dhe tymrat; dhe aq më pak ata që kanë fëmijë të vegjël dhe të moshuarit, në kërkim të paqes. Sheshit Skënderbej të tanishëm i mungojnë edhe restorantet, baret, pubet, klubet, kinematë, teatrot, varietetë, qendrat tregtare, galeritë e artit, universitetet dhe të gjitha ato dyqane dhe shërbime të cilat normalisht do të joshnin turmat e interesuara të banorëve; vetëm Pallati i Kulturës,

me TOB-in dhe ato pak veprimtari të tjera atje, nuk mjaftojnë për të rigjallëruar shkretëtirën e tanishme. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo varfëri e hidhur sociale dhe kulturore në ofertat, tabloja vjen e rëndohet nga gjendja e prapavijave: hapësira prapa Pallatit të Kulturës bie erë periferi të pluhurt dhe degradim post-apokaliptik; mbretëria e qerpiçit në verilindjeHotel Tiranës është në rrokullimë e sipër; trualli tjetër, midis Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës (i menduar më pare si dekor qëllimisht i dystë për statujën e Enverit) ka mbetur gjithashtu djerrë; hapësira në lindje të Xhamisë së Et’hem Beut është njëlloj në pritje të ekskavatorëve me nofullat gazmore.

Zhvillimet urbane të këtyre 20 vjetëve të fundit, të shfaqura në trajtë të një tërmeti në slow motion, u treguan të pamëshirshme me zemrën e dikurshme të Tiranës; pa çka se kjo do të mund të shmangej, me një politikë planëzimi urban më modeste, më të vëmendshme ndaj qytetarit dhe më pak të apasionuar pas gjesteve starkitektonike ambicioze si ajo kulla në trajtë të një koshi shtëpijak plehrash firmato, që ka mbirë, e habitur dhe e turpshme, vashëz që ka hedhur shtat para kohe, në lindje të sheshit: pjesë ose më mirë leskër e një vizioni që kushedi nuk do të realizohet dot më. Tiranasit sot nuk ka asnjë arsye pse të shkojnë në sheshin Skënderbej, përveçse kur u duhet doemos të kalojnë që andej, duke marrë në sy rrokopujën e trafikut; mirëpo, siç e ceka më lart, punimet e zgjatura atje dhe në rrethinat i kanë detyruar shumë prej tyre të përshtaten tashmë, duke zgjedhur itinerare alternative dhe duke iu shmangur qendrës krejtësisht; aq sa sot Sheshi të vijë e t’i ngjajë një plage të mahisur në trup të qytetit, të cilën nuk po e mbyllin dot më, megjithë peizazhimin e ngutshëm, qepjet me penj të bardhë, pemët e njoma si rekrutë të qethur taze, qilimat e barit shtruar shpejt e shpejt mbi tumat e punimeve të djeshme dhe brigadat e punëtorëve të gjelbërimit me xhaketa fluoreshente, që punojnë me goditje të përqendruar, si qëmoti.

Nuk ia njoh hollësitë planit rregullues të Qendrës; në versionet e veta dje dhe sot; të majtë dhe të djathtë; socialist dhe demokratik. Megjithatë, druaj se kur të vijë dita që të realizohet plani i mbështetur me paranë bujare të Madhërisë së Tij Emirit të Kuvajtit Sabah al-Ahmed al-Jabber al-Sabah, tiranasve do t’u jetë zvjerdhur krejt kjo hapësirë, aq sa të mos e kuptojnë dot se për ç’arsye do të quhet ende Qendër; meqë më tepër se qendër e ndonjë farë gjëje, ajo do të jetë katandisur në një djerrinë anonime periferie dhe rrëgjimi urban, mu në kërthizë të kryeqytetit. Për fat të keq, sheshi “Skënderbej” nuk është e para hapësirë publike e kategorisë së parë në kryeqytet, që përfundon në tokë të askujt për shkak të paaftësisë, ligësisë dhe kacafytjeve mes autoriteteve.

Mjafton të ecësh veç pesë minuta, për të parë se njëlloj po lëngon edhe Bulevardi i madh, përbri karkasave të frikshme të Hotel Dajtit dhe të Piramidës, të cilave ka rrezik që nesër t’ua zënë vendin struktura edhe më armiqësore ndaj qytetarit: seli institucionesh të shtetit, me roje të armatosura, kamera të sigurisë, dritare me kangjella hekuri, dyer veturash që përplasen me zhurmë, bodyguards sa të bëshëm aq edhe të ngeshëm, dhe mure si të kështjellave, që pengojnë çdo lloj ndërveprimi spontan të kalimtarit me hapësirën urbane përtej.

Kontrasti me Tiranën tjetër, atë që lulëzon në lagjen ironikisht të ripagëzuar me emrin e vjetër “Bllok”, merr kështu përmasa melankolike; sepse ajo çka ndodh në Bllok u kujton të gjithëve se çfarë mund të kishte ndodhur edhe gjetiu, sikur ambicja për madhështi, grykësia për pasurim dhe shpërfillja e vlerave qytetare të mos ia kishin zënë rrugën prirjes së natyrshme të Tiranës qytet, për t’u organizuar rreth qendrës së saj tradicionale; sikurse u kujton se nuk mjafton paraja dhe investimi, për ta bërë qytetin qytet.

Gazeta "Shekulli"

KOMENTE