English

Berisha në Izrael për të nxitur bashkëpunimin ekonomik

Tel Aviv, 21 nëntor 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha bashkë me një grup përfaqësuesish të biznesit shqiptar dhe medias ndodhet në Izrael për një vizitë treditore me ftesë të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Kjo vizitë sipas kryeministrisë do të kontribuojë për çuarjen përpara të marrëdhënieve bilaterale si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Gjatë kësaj vizite, shefi i qeverisë do të ketë bisedime me autoritetet më të larta në Jerusalem, si dhe takime me komunitetin e biznesit izraelit, në Tel Aviv.

Në ditën e parë të vizitës së tij, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin Shimon Peres; me Kryeministrin Netanyahu, takim i cili do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp.

Më pas Kryeministri Berisha do të ketë takime me Kryetarin e Knesset (Parlamentit) Reuven Rivlin, Zëvendëskryeministrin Dan Meridor, ministrin e Jashtëm Avigdor Lieberman dhe ministrin e Infrastrukturës Uzi Landau.

Gjithashtu gjatë vizitës zoti Berisha do të zhvillojë një vizitë edhe në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, ku do të mbajë një fjalë me temë “ Të drejtët mes kombeve - Historia e miqësisë së Shqipërisë me hebrenjtë dhe shtetin hebre”.

Në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës, shefi i ekzekutivit shqiptar do të zhvendoset në Tel Aviv, ku do të përshëndesë punimet e Forumit Ekonomik Shqipëri-Izrael, i cili i jep një mundësi shumë të mirë për t’i prezantuar biznesit izraelit zhvillimet ekonomike të Shqipërisë dhe potencialet e saj të mëdha për investime, si dhe për të nxitur bashkëpunimin midis sipërmarrjes izraelite dhe asaj shqiptare. Kryeministri do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kompanive izraelite.

Një moment i veçantë i kësaj vizite do të jetë ceremonia e dhënies së titullit “Anëtar nderi”, nga Shoqata Shqiptaro-Hebraike, kryeministrit Sali Berisha.

mit/NOA

KOMENTE