Kajro, 20 nëntor 2011, NOA Update – Pas vdekjes së tre protestuesve të shtunën të asfiksuar nga gazi lotsjellës, të tjera viktima janë shënuar të dielën në sheshin Tahrir, në qendër të Kajros, i rikthyer këtë fundjavë në një arenë dhune.
Mjekët e spitaleve të improvizuara, nëpër xhamitë e sheshit të famshëm bëjnë me dije se tre vetë kanë vdekur të asfiksuar nga gazi lotsjellës, duke e çuar bilancin e viktimave në gjashtë persona, të gjithë të rinj, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ndërkohë, bilanci i të lënduarve gjatë demonstratave të fundjavës në Kajro sipas ministrisë së Shëndetësisë ka mbërritur në afro 750 persona.
Televizioni egjiptian Al Jazira, ndër të tjera bëri me dije se një zjarr i madh ka shpërthyer në pallatin e taksave, jo larg nga sheshi Tahrir, një lajm ky i pakonfirmuar zyrtarisht. Lajme të tjera njoftojnë se një zyrtar i ushtrisë dhe një i policisë bashkë me katër agjentë janë marrë peng nga protestuesit në shesh.
Po kështu mësohet se policia ka arrestuar sot edhe kandidaten për presidente Butaina Kamel, e vënë në krye të protestuesve, që po shkonin drejt ministrisë së Brendshme.
Qytetarët e Kajros dolën në protesta këtë dielë duke shprehur revoltën e tyre për vdekjen e tre protestuesve mbrëmjen e të shtunës, gjatë përleshjeve me policinë e Kajros dhe të Aleksandrisë.
Demonstratat shpërthyen rishtas në Egjipt, vetëm dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, të thirrura pas rrëzimit të ish-presidentit egjiptian Hosni Moubarak.
Sipas burimeve mediatike lokale, hetuesit kanë marrë në pyetje 51 persona, të arrestuar një ditë më parë.
Pas shpërthimit të dhunës, Këshilli i Ministrave thirri një mbledhje urgjente për të analizuar situatën.
Megjithatë, ministri i Zhvillimit Lokal, Mohamed Atteya, bëri me dije se zgjedhjet e para legjistlative të lajmëruara për t’u mbajtur në 28 nëntor nuk do të shtyhen.
Qeveria egjiptiane do të duhet të analizojë gjithçka ndodhi një natë më parë dhe sot në sheshin Tahrir, ndërkohë që, grupe protestuesish thirrën pjesëmarrje edhe më të gjerë në demonstratat në sheshin simbol të revolucionit egjiptian të 25 janarit.
“Asgjë nuk ka ndryshuar pas revolucionit. Këshilli i Forcave të Armatosura po ndjek politikën e Mubarakut”, deklaroi një nga protestuesit, 29-vjeçari Khaled, i cili ka instaluar tendën e tij në sheshin Tahrir.
mit/NOA