Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA – Komisioni i Ligjeve miratoi sot me konsensus ndryshimet në Kodin Rrugor, duke përfshirë në të edhe propozimet e opozitës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pasi propozimet e deputetit socialist Fatmir Xhafaj u përkrahën në mbledhjen e shkuar, në fillimjavë Kodi kaloi “de fakto” në Komisionin e Ligjeve.
Konsensusi për Kodin Rrugor zyrtarizon kështu të tretin kod të kaluar në komisionet parlamentare me konsensus, duke i hapur dritën jeshile miratimit të tij në Kuvend me 3/5 e votave.
Miratimi me konsensus i Kodit Rrugor vjen pas kompromisit të arritur mes mazhorancës dhe opozitës të hënën e shkuar, ku palët ranë dakord për tri pika kyç: ngritjen e Komisionit për reformën zgjedhore, i miratuar tashmë, nisjen e reformës parlamentare dhe shqyrtimin e një axhende të posaçme për ligjet, që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, pra që për t’u miratuar dhe kthyer në ligje kërkojnë edhe votat e opozitës.
Po kështu në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve është diskutuar edhe dekreti i Presidentit të Republikës Bamir Topi, për emërimin në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të Bujar Leskaj, një kandidaturë, që duket se ka pëlqimin brenda radhëve të mazhorancës.
Megjithatë sipas deputetëve demokratë do të jetë grupi kuvendor i demokratëve, që do të vlerësojë nëse do ta pranojë apo jo këtë kandiaturë të re të propozuar nga Kreu i shtetit.
Duhet theksuar se kandidatura e parë për këtë post, ajo e ish-deputetit demokrat Sali Shehu, u refuzua unanimisht nga mazhoranca, me vetëm një abstenim nga Sherefedin Shehu, që është edhe kushëri i tij.
mit/NOA