"E këtu nuk e kam fjalën aspak për raportin e tensionuar e tashmë të krisur që PD ka krijuar me zotin Topi dhe përkrahësit e tij, se shumë gjëra në parim mund të qëndrojnë edhe për këtë rast. Më shumë siklet e dëshpërim ngjallin sulmet e brendshme e shpeshherë edhe të ulëta që po shfaqen nga persona të caktuar brenda ose jashtë qarkut të djathtë, që dikur mund të kenë punuar e bashkëpunuar me zotin Leskaj"
Nga Ndriçim Kulla
Shtigjet e ndërthurjes së një përqasjeje personale me një përqasje publike ngandonjëherë janë të veçanta, por gjithsesi, nëse raportet ruhen brenda një ekuilibri të caktuar dhe parimeve që dikton ndershmëria intelektuale, ato mund të ofrojnë një mendim të pjekur e plotësisht të frytshëm për t’u përdorur si argument. Një rast i tillë për mua do të qe ai i Bujar Leskajt, njeriut që ka disa ditë që po lakohet si i caktuari i Presidentit Topi për postin e KLSH. Nëse do të jepej disa kohë më parë një njoftim i tillë, nuk do të përbënte kurrsesi një lajm, pasi gjithçka do të trajtohej si një përzgjedhje e vlertë e një kandidature të spikatur brenda gjirit të Partisë Demokratike. Mirëpo, tani kur kontrastet janë shtuar e thellimi i tyre po bëhet i sikletshëm dhe i dëmshëm, një propozim i tillë mund të ndodhë edhe që të vihet në diskutim. Po të mos e njihja personalisht njeriun Leskaj, të zhveshur nga posti i ministrit, atëherë kur filloi pikërisht dhe marrëdhënia jonë, meditimi i parë që do të më vinte në mend, do të qe: po përse vallë kemi arritur deri këtu? Si është e mundur që pak kohë të ketë hedhur aq shumë flokë të hidhët dëbore, për të ngrirë marrëdhëniet mes miqsh e njerëzish që kanë pasur po të njëjtin ideal e po të njëjtën aspiratë? E këtu nuk e kam fjalën aspak për raportin e tensionuar e tashmë të krisur që PD ka krijuar me zotin Topi dhe përkrahësit e tij, se shumë gjëra në parim mund të qëndrojnë edhe për këtë rast. Më shumë siklet e dëshpërim ngjallin sulmet e brendshme e shpeshherë edhe të ulëta që po shfaqen nga persona të caktuar brenda ose jashtë qarkut të djathtë, që dikur mund të kenë punuar e bashkëpunuar me zotin Leskaj, e sot e sulmojnë si të papërshtatshme kandidaturën e tij. Natyrisht që të përkryer nuk ka, natyrisht që gjithkush ka mangësitë e veta, që me zili apo ligësi mund t’i quhen edhe gabime, por edhe deri kur s’e njihja e kur ai kish vepruar në administratë, zoti Leskaj nuk është shfaqur asnjëherë në rolin e burimit negativ apo mosaftësisë dëmtuese; Përkundrazi, gjatë detyrës si ministër i Kulturës, ka qenë i dalluar në përpjekje pozitive dhe me mjaft rezultat në hartimin e një ligji të mirë për librin dhe në konsolidimin e një zëri të caktuar në buxhet për angazhimet kulturore të kësaj Ministrie. Janë dëshmi që si botues ne i kemi ndier të afërta me qëllimin dhe aspiratat tona, por më vonë nëse do të bënim krahasim me ndonjë ministër që e pasoi, do të shohim se ato mund të shfaqen edhe si pioniere në raportin e privilegjuar që administrata e tij zanafilli për librin. Dua ta theksoj akoma dhe më fort këtë aspekt të identitetit të këtij njeriu, që gjithë kohën e larguar prej disa vitesh nga skena e një detyre të rëndësishme nga administrata publike, e ka mbushur me lexime, botime e më së fundi edhe studime. Ia vlen të kujtojmë këtu librin e mrekullueshëm dhe të porsabotuar me titull “Muzat e qëndresës”, ku jepen mjaft dëshmi e analiza të spikatura për letërsinë e burgut, këtë faqe të rëndësishme të rishkrimit dhe rivlerësimit të historisë sonë, veçanërisht të shtresës së të përndjekurve, një shtresë dhe qasje kjo që së fundi duket të ketë bashkuar interesin dhe prioritetin e të dy qarqeve mbizotëruese të politikës shqiptare, të majtë e të djathtë. E pikërisht ky aspekt social, i prirë ndaj rritjes së angazhimit kulturor dhe intelektual që zoti Leskaj ka shfaqur në mënyrë konstante gjatë gjithë këtyre viteve, duhet të përbëjë edhe një prioritet cilësor të propozimit të kandidaturës së tij. Veçanërisht në një post të tillë delikat si ai i KLSH, që është i domosdoshëm të përbrivihet krahas staturës së profesionistit (që të përzgjedhurit tonë dukshëm nuk i mungon), edhe statura e një personaliteti intelektual e social. Përveç kësaj, nuk duhet lënë mënjanë edhe një aspekt i dalluar i karakterit të tij, që unë kam pasur rastin ta vërej aq shpesh gjatë gjithë këtyre viteve, raporti i tij i ngushtë, i përditshëm e gati emblematik me njerëzit në përgjithësi dhe me bazën në veçanti. Një raport i përkushtuar deri në admirim, që arriti kulmin me angazhimin e shkëlqyer që ai pati në zgjedhjet e fundit, në krah të kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë, zotit Lulzim Basha. Qe ky një përfundim i natyrshëm i gjithë qëndrimit të tij luajal dhe të aktivshëm, që pas largimit nga posti i ministrit. Qoftë për këtë kontribut, qoftë për këtë staturë të kompletuar, ky propozim do të qe gjithashtu edhe një çakullim i domosdoshëm i marrëdhënieve me figurat e spikatura e ndoshta të lëna pa të drejtë në harresë nga ana e PD gjatë këtyre viteve. Pse jo, një qasje e tillë e frytshme mund të bëhej pikënisje për një qëndrim akoma më të arsyeshëm edhe për të ardhmen. Tek e fundit, kur deri më sot është kërkuar prej dy vjetësh një qëndrim i tillë ndaj opozitës, si mund të mos lejohet diçka e tillë me njerëzit me kontribute brenda spektrit të djathtë? E djathta, në traditën e saj arriti të mësojë nga gabimet e lënies jashtë të copave të saj për t’u tretur rrugës. Por e vërteta tregoi se, kur qenë kontribute të qëndrueshme e të forta, arritën të rikthehen e të bëhen sot shtylla të forta mbështetëse të qeverisjes. Është një përjetim marrëdhënieje që përtej se intelektuale, kalon edhe në sinorët e rastit publik, propozimi më i ri që i shtrohet sot Komisionit, e shpresojmë edhe Parlamentit për diskutim. Një propozim i vlertë që në ekuilibrin e dalluar mes përpjekjeve dhe angazhimit, vlerave dhe karakterit, baraspeshuar me të metat e dobësitë normale njerëzore, merr përmasën e një shansi që nuk duhet humbur.
Gazeta "Panorama"