English

Peres-Berisha: Shqipëria faktor stabiliteti në rajon

Tel Aviv, 21 nëntor 2011, NOA - Në nisje të vizitës së tij zyrtare në Jeruzalem, Kryeministri Sali Berisha u prit në një takim nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres.

Presidenti izraelit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis të dy vendeve, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit shqiptar si një kontribut tjetër për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryeministri Berisha duke i cilësuar marrëdhëniet politike dypalëshe si të shkëlqyera, e risiguroi Presidentin izraelit për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, në veçanti në fusha si ato të bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit, etj, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë.

Për bashkëpunimin në këta sektorë shprehu interes të veçantë edhe presidenti Peres, i cili sakaq e siguroi Kryeministrin për vullnetin e Izraelit në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe me Shqipërinë në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike.

Kryeministri Berisha gjatë takimit bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe arritjeve të rëndësishme në një sërë fushash.

Këtu, presidenti Shimon Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht, për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre.

Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e kombit dhe shtetit të tij për qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të paqes e sigurisë në këtë rajon.

Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve dhe qeverive për nxitjen e investimeve të ndërsjella, në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve dhe prosperitetit të të dy popujve.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Peres diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, ndërkohë që në përfundim të takimit kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Peres të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.

NOA

KOMENTE