English

Reforma zgjedhore, partitë e vogla pritet të publikojnë kërkesat

Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA – Një javë pas arritjes së kompromisit të munguar dy-vjeçar mes mazhorancës dhe opozitës, e cila i çeli dritën jeshile ngritjes së Komisionit për reformën zgjedhore, i miratuar edhe në Parlament gjatë seancës së shkuar plenare, sot mblidhen në një takim partitë e vogla, të cilat do të propozojnë kërkesat e tyre për reformën zgjedhore, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Dhjetë partitë e vogla, aleate të opozitës dhe të mazhorancës, të thirrura në këtë tryezë të përbashkët, pritet të dalin me një deklaratë dhe kërkesa përballë komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, i cili do të nisë punën këtë javë.

Deri më tani tri nga partitë, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim janë tre parti të vogla parlamentare LSI, PBDNJ, dhe PR-së.

Siç edhe kanë deklaruar, më herët partitë e vogla kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, të përfaqësohen me anëtarë në administrimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore, duke ditur që në vendin tonë të gjitha komisionet propozohen nga partitë politike dhe jo nga Shoqëria Civile.

Komisioni për reformën zgjedhore drejtohet njëherësh nga dy bashkëkryetarë, Damian Gjiknuri për socialistët dhe Ilir Rusmajli për demokratët, dhe në përbërje do të ketë edhe tetë përfaqësues të partive parlamentare të opozitës dhe mazhorancës.

Ky komision do të ushtrojë veprimtarinë e tij për një afat tre mujor dhe do të përbëhet nga 10 anëtarë, përfaqësues të partive parlamentare, 5 nga maxhoranca (2 PD, 1 LSI, 1 PR dhe 1 PDIU), dhe 5 nga opozita: (PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar).

Gjatë punës së tij komisioni për reformën zgjedhore do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor.

mit/NOA

KOMENTE