English

Rëndohet bilanci i aksidentit ku u përfshi djali i Ruçit, vdes vajza e aksidentuar

Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA Update – Rëndohet bilanci i aksidentit të mbrëmshëm në Tiranë, kur mëngjesin e sotëm ndërroi jetë, njëra prej vajzave të aksidentuara gjatë përplasjes së dy makinave, njëra e drejtuar nga Ledio Ruçi, djali i deputetit dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Burime nga spitali ushtarak bëjnë me dije se vajza 28-vjeçare me iniciale B.P., nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra gjatë përplasjes me makinën BMW X6 të drejtuar nga Ledio Ruçi.

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e të dielës, pranë qendrës së kryeqytetit, në rrugën e Elbasanit, në orën 21.30 minuta, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Burime nga policia në vendngjarje thanë se dy makina janë përplasur keqas me njëra-tjetrën.

Policia dyshon se shkak për përplasjen e makinave është bërë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia e lartë, me të cilën udhëtonin makinat.

Nga aksidenti u plagosën një djalë dhe dy vajza, njëra prej të cilave ndërroi jetë këtë mëngjes, dhe që të tre udhëtonin në makinën Mini Coper.

Burime nga policia e Tiranës thanë se makinat e përplasura janë një BMW X6, që drejtohej nga Ledio Ruçi dhe një makinë Mini Coper, e cila pësoi përplasjen më të rëndë gjatë aksidentit.

Policia ende nuk ka zbardhur identitetin e plotë të të plagosurve.

Inicialet e tyre janë B.P., 28 vjeçe, vajza që ndërroi jetë, vajza tjetër E.R dhe një i ri, me iniciale B.R.

Policia e Tiranës shoqëroi në komisariat Ledio Ruçin, që drejtonte makinën luksoze BMW X6, gjatë mbrëmjes së të dielës, ku e ka marrë në pyetje për të zbardhur rrethanat e aksidentit të rëndë, i cili shënoi një të vdekur.

mit/NOA

KOMENTE
  • Nela Yska15:22 - 21 Nëntor 2011
    a po paraja te ha koken ste ben njeri jo te jesh djal deputeti ne shqiperi ke kapur qiellin me dore jo me te shkelesh rregullat rrugore ngushellime familjes se vajzes...
  • Baby10:39 - 21 Nëntor 2011
    Si djale deputeti qe eshte edhe faj te kete do dali i pafaj.Ky eshte realiteti ne te cilin jetojme.Nje shprehje e vjeter popullore thote :"Mjere ai/ajo qe iku pa te tjeret do vazhdojne te jetojne"....