Nju Jork, 20 nëntor 2011, NOA - Presidenti amerikan George Bush donte ta njihte pavarësinë e Kosovës që në vitin 2007, por ai e shtyu këtë afat me kërkesë të aleatëve. Kështu thuhet në librin më të ri të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, me titull “Nuk ka nder më të madh,” të botuar ditë më parë në Nju Jork.
Ish-kryediplomatja amerikane përshkruan në një pjesë të librit periudhën e negociatave për statusin e Kosovës, ku thuhet se çoi në një propozim të njohur si plani i Ahtisaarit, që rekomandoi pavarësinë për kosovarët.
Rice shkruan se nga fundi i verës 2007 kosovarët po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë rreth statusit, ndërkohë, që edhe Beogradi mund të synonte aneksimin pak nga pak të një të tretës së Kosovës, atje ku jetonin serbët radikalë.
“Unë bëra trysni tek evropianët, që të vepronin dhe qëllimi ynë ishte ta njohim shtetin e ri bashkë me ta dhe me sa më shumë vende të tjera. Francezët dhe gjermanët zvarritnin punë, duke shpresuar se Moska do të ndërronte mendjen. Kur në mes të qershorit Franca kërkoi edhe një muaj shtyrje, presidenti (Bush) u zemërua pamasë. Presidenti e thirri (Vladimir) Putinin dhe ai iu përgjigj njëjtë me atë që më kishte thënë edhe mua (Sergej) Lavrov. “Ne pranojmë çdo gjë që pranojnë serbët,” kishte thënë Putin, raporton korrespodenti i RTK-së nga Nju Jorku.
Më tej Rice shpjegon se si në samitin e G 8-ës në Gjermani, presidenti Sarkozy kishte kërkuar negociata edhe për 120 ditë.
“Pas samitit më 9 qershor, presidenti Bush në një konferencë për shtyp në Romë bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës.
Bush të nesërmen në Shqipëri përsëriti mbështetjen e tij për pavarësinë dhe planin Ahtisaari.
“Vetëm edhe një muaj,” më tha presidenti, shkruan Rice, dhe pastaj do t’a njohim (Kosovën), qoftë edhe të vetëm nëse duhet ta bëjmë. Unë ju kam premtuar dhe këtë duhet ta përmbushim”, shkruan Rice në librin e saj.
Më vonë presidenti Bush ishte pajtuar me shtyrjen edhe për 120 ditë, por me kusht që kjo do të jetë shtyrja e fundit.
Më 18 shkurt 2008, ne zyrtarisht njohëm Kosovën ashtu siç bënë edhe shumë shtete të tjera evropiane”, shkruan Condeleezza Rice në librin e sapo dalë në tregun amerikan të librit.
NOA