English

Topalli: Shqipëria e rrethuar nga kriza, pati rritje ekonomike

Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA – Presidentja e PABSEC-ut, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se Shqipëria ka patur rritje ekonomike, edhe pse ajo është e rrethuar nga kriza ekonomike financiare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë Forumit të 2-të të Biznesit të Detit të Zi, që po mbahet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Parlamenteve të PABSEC dhe biznesmenëve të TUSKON, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi se kriza ekonomike në Shqipëri u shmang për shkak të masave lehtësuese ndaj biznesit në vend.

Zonja Topalli rikujtoi dy nga masat kyç të qeverisë, si hapjen e vendit ndaj investimeve, uljen e taksave dhe të burokracisë.

“Ne jemi vend i vogël, por me ambicie të madhe, kemi humbur shumë kohë, por shqiptarët janë popull me energji të madhe dhe të jashtëzakonshme”, theksoi Topalli.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi modelin ekonomik të ndjekur nga qeveria, që përmes uljes së taksave, lirisë fiskale, administratës së vogël, dhe investimeve në infrastrukturë, rezultoi i suksesshëm për ekonominë e vendit.

Asambleja e Përgjithshme, e cila do të zhvillojë punimet e saj treditore në Tiranë, nga data 21-23 nëntor 2011, do të ketë në fokus temat kryesore si “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit-shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, “Përmirësimi i sistemeve tatimore në shtetet anëtare të BSEC-ut” dhe “Çështjet kulturore, arsimore dhe sociale”.

mit/NOA

KOMENTE