Madrid, 20 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Të gjitha vërtetimet u parashikuan. Partia Popullore Konservatore në Spanjë shënon një prej fitoreve më historike të së djathtës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve i japin kësaj force politike shumicën në parlamentin e ri, ndërsa kreu i saj Mariano Rahoi pritet të marrë drejtimin e vendit në kushtet e një krize të thellë ekonomike.
Sipas exit polleve, Partia Popullore siguron 181-185 vende ose 43.5% të votave, ndërsa socialistët marrin 115-119 vende në parlament ose 30% të votave.
Për socialistët e Alfredo Rubalkabës kjo është disfata më e thellë e të majtës në një garë elektorale.
Kreu i socialistëve zëvendësoi në këtë post kryeministrin Hose Zapatero, i cili u tërhoq nga rikandidimi.
Ndërkaq pjesëmarrja në zgjedhje konsiderohet 3 % më e ulët, se ajo e zgjedhjeve të vitit 2008.
Rreth 36 milionë zgjedhës u thirrën për të zgjedhur sipas sistemit elektoral, 350 deputetët dhe 350 senatorët për katër vitet e ardhshme.
Të zgjedhurit e rinj do të mblidhen për herë të parë në 13 dhjetor, kur dhe do të nisë formimi i kabinetit të ri qeveritar.
Qeveria e re do të duhet të përballet me presionin në rritje të tregjeve, por edhe me objektivin për të ulur në 4.4 për qind borxhin publik.
mit/NOA