Tiranë, 22 nëntor 2011, NOA - Tre punonjës të Policisë së Shtetit janë vlerësuar me Çertifikatën e Mirënjohjes nga Ambasadori i SHBA-së, Aleksander Arvizu, gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Me motivacionin për kontributin e dhënë në implementimin me sukses të këtij programi, u vlerësuan me Çertifikatën e Mirënjohjes punonjësit:
-Drejtues Saimir Muçaj, Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë -Kryekomisar Arben Nasufi, Shef Sektori, Asistent i Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë.
-Komisar Bedri Hasanaj, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Me të njëjtën Çertifikatë Mirënjohjeje u vlerësua edhe Drejtorja e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Arjana Bekteshi. Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksander Arvizu, gjatë fjalës së tij, vlerësoi bashkëpunimin e shkollave me policinë për sensibilizimin rreth rreziqeve të përdorimit të drogave, mbështetur në përvojën e bashkëpunimit të shkollave me Gardën Kombëtare në SHBA.
“ Mendoj se është një mënyrë shumë efikase sesi policia të rrisë ndikimin që ajo ka, veçanërisht rolin e saj të rëndësishëm si model në mbarë vendin”, theksoi Ambasadori Amerikan.
“Përdorimi i drogave është një e keqe shumë e madhe dhe e rrezikshme dhe zakonisht të këqijat përballen kur je në aleancë dhe luftohen e del fitues kur vepron si koalicion. Në këtë rast ne jemi krenarë sepse përbëjmë një aleancë dhe një koalicion shumë të fortë në luftën ndaj këtij fenomeni, ndaj kësaj të keqeje të madhe”, tha ministri Nishani.
Mes Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Drejtorisë Arsimore të Tiranës sapo është nënshkruar një memorandum i dytë mirëkuptimi, si dhe është hartuar plani i përbashkët i punës për vitin shkollor 2011-2012, për programin edukativ, i cili shtrihet në 40 shkolla 9-vjeçare të qytetit të Tiranës.
a.q/NOA